Seydou Keita, mesfushori i Barcelonës, i ka dhënë kualifikimin kombëtares së Malit duke shënuar 11-metërshin përcaktues ndaj Gabonit dhe duke e kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës.
Kjo është hera e katërt në histori që Mali arrin në këtë fazë të këtij turneu dhe të mërkurën do të përballet me Bregun e Fildishtë.
Gaboni, një nga mikpritësit e Kupës së Afrikës së bashku me Guinenë Ekuatoriale, kaloi në avantazh me anë të Moulongui, por për Malin barazoi Diabate në minutën e 84 duke e çuar ndeshjen në shtesë.
Pas përfundimit të 30 minutave shtesë me rezultatin 1-1, ekipet iu drejtuan pikës së 11-metërshit dhe vetëm Aubameyang humbi penalltinë duke lejuar që Keita të kualifikonte kombëtaren e tj në goditjen e fundit.
Gana mund Tunizinë falë gabimit të portierit
Një gabim i portierit tunizian Aymen Mathlouthi në shtesë bëri që Gana të fitonte 2-1 dhe të arrinte për herë të tretë radhazi gjysmëfinalet e Kupës së Afrikës ku do të ndeshet me Zambian.
Në shtesë, gabimi i portierit Mathlouthi u shfrytëzua më së miri nga sulmuesi i Marseille, Andre Ayew dhe e gjithë puna e mirë e ekipit tunizian shkoi dëm.
Ndeshja ka qenë e ekuilibruar, me shumë pak ritëm e raste për gol. Gana shënoi e para që në minutën e dhjetë me anë të futbollistit të Lyon-it, John Mensah. Ndeshja u barazua në minutën e 42 nga Khelifa.
Gana e ka fituar katër herë Kupën e Afrikës (1963, 1965, 1978 dhe 1982), ndërsa në edicionin e kaluar arriti finalen ku u mund nga Egjipti.