Vazhdon të jetë problematike situata nga reshjet e dëborës në qarkun e Shkodrës. Një rast emergjent është shfaqur në fshatin Bruçaj të komunës së Pultit në krahinën e Dukagjinit në Shkodër ku një vajzë 18 vjeçare ka probleme të rënda me shëndetin. Nga Prefektura Shkodër është angazhuar një mjet Ifë i forcave të ndërhyrjes së shpejtë e cila rreth orws 11.30 është nisur drejt Prekalit e shoqëruar nga një mjek i urgjencës. Nga fshati Bruccaj në Prekal vajza do të sillet nga banorët në barrelë, pasi është i pamundur kalimi i makinave.
Mësohet se dhe një djalë nga fshati Xhan i po kësaj komune ka probleme shëndetësore dhe ai do të transportohet me të njëjtin mjet. Në komunat Pult, Shalë, Shosh, Temal e Shllak ka bllokim total të rrugëve si dhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Shkollat këtu janë të mbyllura. Në komunat Hajmel e Bushat ka patur stakime dhe luhatje në furnizimin me energji elektrike. Pjesërisht mungesa në furnizimin me energji elektrike ka dhe në komunën Velipojë ndërsa në komunën e Dajçit dhe atë të Anës së Malit,që nga mbrëmja e së enjtes energjia elektrike mungon plotësisht.
Nga Velipoja është transportuar për në maternitetin e Shkodrës një grua shtatzënë. Në Anën e Malit po punohet nga komuna me dy fadroma për hapjen e rrugëve komunale. Vetwm një fshat është akoma i bllokuar. Në mesditë është bërë i kalueshëm me zinxhirë aksi Mes- Prekal në Shkodër .Në Pukë vazhdojnë të jenë të mbyllura të gjitha shkollat,në qytet punohet për hapjen e rrugëve.
Në këtë rreth të gjitha rrugët komunale janë të bllokuara nga bora. Në bashkinë Fushë-Arrës dhe komunën Qerret janë të bllokuara rrugët komunale. Në komunën Qelëz janë të bllokuara 13 fshatra dhe trashësia e dëborës është 1 metër. Në komunën Gjegjan rruget komunale janë të bllokuara,po kështu është i bllokuar dhe aksi nacional Hadroj – Mirditë. Aktualisht nga komuna është angazhaur një fadromë, e cila po punon me shumë vështirwsi për shkak të motit të keq. Në këtë komunë ka probleme me furnizimin me energji elektrike ku një fshat me 200 banorë është totalisht pa energji.
Në komunën e Fierzës janë 3 fshatra të bllokuar, ka mbi një metër e gjysmë bore dhe 600 banorë janë të bllokuar. Banorët kanë nevojë për ushqime. Gjendja më e rëndë paraqitet në komunën Qaf Mali ku ka bllokim total dhe në rast emergjence mjekësore është e vështirë që të vihet në ndihmë me helikopter. Në rrethin e Malësisë së Madhe situata më e vështirë mbetet në komunën më veriore të vendit ,në atë të Këlmendit. Këtu rruget komunale janë të bllokuara. Trashësia e dëborës mbi një metër. Një traktor dhe një fadromë po punojnë në aksin Rrapsh -Tamarë.
Drejtuesit e komunës po përpiqen të sigurojnë ndihmën e fqinjëve në Mal të Zi për hapjen e mëtejshme të rrugëve. Sipas inspektorit të emergjencave civile në rrethin e Malësisë së Madhe, Ndue Bacaj, trashësia e dëborës këtu shkon nga 50 cm në zonën fushore deri në 1.5 m në atë malore.
Në Vukël të Këlemendit ka 80cm dëborë ndërsa në Selcë 1-1.5 m. Sipas Baccajt zhbllokimi i rrugëve të komunës së Këlmendit është shumë i vështirë pasi ato janë rrugë me terren të thyer dhe me kthesa por dhe për faktin se atje ka vetëm një traktor me zinxhir që ndodhet në Vermosh dhe është i amortizuar dhe i vjetër. Në qytete shkollat janë të hapura por ka patur frekuentim të dobët të nxënësve. Në qytetin e Shkodrës ka fadroma që punojnë në rrugët kryesore por kanë ndeshur vështirësi nga parkimet e mjeteve që pengojnë lirimin e rrugëve. Punohet në rrugën nga lagje Xhabije deri në Bahçallek dhe tek unaza ,ndërsa në rrugët e tjera ndërhyrja për t’i mbajtur të lira është e pakët dhe e pamjaftueshme. Mjaft nga bizneset janë të mbyllura ndërsa ato që kanë trotuare afër i kanë pastruar vetë ato. Në mesditë është bërë i kalueshëm me zinxhirë aksi Mes- Prekal.