Paraqitja e dobët në përballjen me Guinenë ka ngritur dyshime rreth statusit të Ganës si favorite për të fituar Kupën e Kombeve të Afrikës.
Megjithatë, pavarësisht barazimit 1-1, “Yjet e Zinj” mbeten besimplotë për mundësinë e arritjes së një fitoreje përballë Tunizisë, të dielën, sukses që do t’i kualifikonte midis katër më të mirëve të kompeticionit.
”Është e qartë që duhet të përmirësojmë lojën tonë për të qenë në gjysmëfinale dhe kam besim se pikërisht këtë do të bëjmë”, deklaroi zëvendëstrajneri Kwesi Appiah. “Deri tani nuk kemi luajtur asnjëherë në kapacitetin tonë më të mirë, por ky është karakteri ganez, motivohemi vetëm në momentet vendimtare”.
”Do të jetë e vështirë, por Gana ka ardhur në këtë kompeticion për të fituar titullin dhe kemi besim që do t’ia dalim mbanë”, tha sulmuesi Asamoah Gyan.
Gana ka fituar katër herë në historinë e saj titullin më prestigjioz të kontinentit, në vitet 1963, 65, 78 dhe 1982. “Yjet e Zinj” kanë besim se ky është viti i duhet për t’u rikthyer tek suksesi pas tre dekadash. Megjithatë, në përballjen e fundit me Tunizinë, në vitin 2006, ishin këta të fundit që fituan me rezultatin 1-0.