Gazeta ‘Marca’ publikon të hënën një intervistë me Roberto Carlos në të cilën mbrojtësi veteran lajmëron tërheqjen e tij nga futbolli profesionist kur të mbarojë sezoni aktual.
Roberto Carlos. aktualisht lojtar i Anzhi Makhachkala, ka vendosur që ky do të jetë sezoni i tij i fundit. Gjatë këtij viti angazhimi i tij në fushat e lojës ka qenë shumë i paktë dhe 39-vjeçari është marrë më shumë me organizimin e strukturave sportive të klubit të pasur rus.
“E kam menduar mirë dhe e kam vendosur përfundimisht. Do të lë futbollin kur të përfundojë ky sezon”, është shprehur ish-futbollisti i Inter dhe Real Madrid.
“Kam fituar gjithçka në karrierë dhe trupi im nuk mundet më. Po më thotë të ndaloj”, shton mëngjarashi.
Roberto Carlos është cilësuar nga specialistët e futbollit si mbrojtësi i majtë më i mirë në historinë e futbollit sëbashku me ish-kapitenin e Milanit, Paolo Maldini.