Revista amerikane ‘Time’ ka zgjedhur futbollistin e Barcelonës Lionel Messi për faqen e parë të numrit të shkurtit që do të dalë në shitje më 29 janar.
Ylli argjentinas është futbollisti i parë në histori që zë kopertinën e kësaj reviste prestigjioze. Sportistë të tjerë që kanë qenë protagonistë të ‘Time’ janë golfisti Tiger Woods, basketbollisti Michael Jordan apo boksieri Muhamed Ali.
“King Leo” (Mbreti Leo) është titulli që shoqëron foton e madhe të futbollistit në numrin e muajit shkurt.
Sipas ‘Time’, Messi është “futbollisti më i mirë në botë” aktualisht dhe “ka mundësi që të jetë më i miri i të gjitha kohërave”. Por, nuk mungon pyetja “Pse bashkëpatriotët e tij nuk e duan?”