Nga Steve Jobs tek Osama Bin Laden dhe Amy Winehouse: njerëzit që u shuan në vitin 2001. Të mëdhenjtë që bënë një epokë.
Osama Bin Laden
Terroristi më gjakatar
2011-a është viti i vdekjes së terroristit më të rrezikshëm të historisë. Sheiku Osama Bin Laden, 54 vjeç, armiku numër një i Perëndimit, ideatori i sulmit të Kullave Binjake ku humbën jetën tremijë persona, dhjetë vjet pas asaj tragjedie u gjet dhe u ekzekutua më 2 maj të këtij viti në Pakistan, vendin më të sigurt dhe djepin e “Al Kaedas” (e krijuar zyrtarisht në Peshavar). Streha e tij u zbulua, duke ndjekur një lajmëtar që bënte lidhjen e tij me botën e jashtme. Kjo ishte një fitore për Amerikën dhe Presidentin e saj, Barack Obama. I lindur në një luks pa limit, Osama Bin Laden përdori pasurinë që kishte trashëguar nga i ati për të çuar deri në fund luftën e tij të shenjtë. Ndryshe nga pesëdhjetë vëllezërit e motrat e tij, nuk studioi jashtë shtetit, por qëndroi në Arabinë Saudite, vendi ku ishte transferuar i ati në kërkim të ndonjë pune, i cili para se të bëhej manjati më i madh i ndërtimeve në vend, ishte punëtor i thjeshtë. Shkollën e mesme dhe të lartë e kreu në qytetin konservator të Gedas. Gjatë atyre viteve iu ngulitën thellë parimet e Islamit. Në fakt ishte pushtimi rus i Afganistanit që shënoi përgjithmonë zgjedhjen e tij për të qenë fundamentalist. “Vendosa të luftoja menjëherë, pa e vënë në mëdyshje”, do të thoshte më vonë. Pasuria dhe dituria e bënë menjëherë kryetarin e muxhahedinëve. Gjithashtu Bin Laden ndihmoi në krijimin e kampeve, rrugëve dhe bunkerëve para se ai të rrëmbente vetë armët. Në vitin 1989, kur sovjetikët u tërhoqën nga Afganistani, shkoi sërish në Arabinë Saudite dhe filloi të ngrinte bazat e “Al Kaedës”, që në arabisht do të thotë “Baza”. Marrëdhëniet me shtëpinë mbretërore saudite u prishën kur kjo e fundit pranoi ngritjen e bazës amerikane në vend dhe refuzoi ndihmën e Bin Laden-it në Kuvajt. Në vitet ‘90 ai u transferua në Sudan dhe filloi aktivitetin terrorist kundër Perëndimit që kulmoi me sulmin e 11 shtatorit të vitit 2001. Amerikanët vendosën ta hidhnin trupin e Osama-s në det, sepse varret e fanatikëve nuk kanë vend ku të lartësojnë mitin e tij.
Muammar Gheddafi
Për 42 vjet, Libia ishte e tij
Muammar Gheddafi u vra më 20 tetor të 2011-s në moshën 69- vjeçare, ndërkohë që përpiqej t’i bënte ballë valës revolucionare të popullit të tij, në Libinë që i kishte kthyer krahët të cilën e kishte mbajtur për 42 vjet nën frerë. Gheddafi, i ngjitur në pushtet në vitin 1969, me një grusht shteti që largoi monarkinë, mishëroi një epokë historike: atë të diktaturës post-koloniale. Me kalimin e viteve, Gheddafi u vetëshpall kolonel. Duke pretenduar se ishte mendja e ndritur e vendit, dëshironte që të tjerët ta quanin “vëllai lider”. Me të ardhurat e tij u bë mbështetësi i çdo kauze ekstreme. Forcoi edhe më shumë lidhjet me Etiopinë, Liberinë, Serbinë dhe Venezuelën. Ëndërronte të bashkonte Afrikën nën drejtimin e tij, duke përdorur si mjet islamin. Duke qenë se qëllimi i tij dështoi, nuk la diktator të kontinentit të zi pa financuar, në mënyrë që të renditej në rangun e “Mbret i mbretërve afrikanë”. Për dy dekada me radhë armiqtë e tij të betuar ishin Perëndimi dhe kapitalizmi, kundër të cilave në vitet ‘80-‘90 ndërmori sulme të vazhdueshme terroriste. Në fund “libiani i çmendur”, siç e kishte pagëzuar Presidentit egjiptian Sadat, i kishte ulur armët. Ajo që e kishte bindur ishte vdekja e Saddam Hussein. I rrethuar gjithnjë nga gratë-skllave, pretendonte që të kishte dashurinë e tyre në çdo moment, të cilat ndoshta i kishin lënë ta besonte këtë gjë. Pak javë para se të vdiste, me vendin e mbuluar nga flakët dhe kryengritësit, vazhdonte të thoshte: “Populli im është me mua”.
Steve Jobs
Gjenial dhe vizionar
Fati deshi që biografia zyrtare e Steve Jobs të publikohej pak javë pas vdekjes së tij (Steve u shua në moshën 56-vjeçare). Një libër ku kishte kontribuar edhe vetë themeluesi i “Apple”, duke ndihmuar autorin (Walter Isaacson) të zbulonte anët e tij më pak të ndritshme. Armik i përjetshëm i çdo ortodoksie dhe çdo banaliteti, në fund Steve Jobs na detyroi të gjithëve të shkojmë “përtej gjësë parë që na vjen në mendje”, madje edhe ndaj gjykimit për të. Po ashtu ai nuk lejoi që kundërshtarët e tij në jetë t’ia kalonin (ai ishte “djalli” i softuerit, shfrytëzuesi i punës me kosto të ulët në Kinë etj.): ashtu i vetëm arriti të përmirësonte botën, pa ndrequr fillimisht vetveten, pavarësisht udhëtimeve në Indi, budizmit, meditimit, sëmundjes me qëllimin e vetëm “për të bashkuar të gjitha pikat” dhe për t’i dhënë një kuptim ekzistencës së tij. Kush e ka parë qoftë edhe një herë të vetme të skenë, i veshur me bluzë të zezë, xhinse dhe atlete, kujton një burrë, të cilit i pëlqente ta duartrokisnin dhe ta donin, a thua se ishte njeri i Zotit. Para se të largohej përgjithmonë nga kjo botë, Steve na tha që të mos i besonim askujt, madje as atij vetë: “Të dashurit e mi jeta është e ndërlikuar, madje shumë herë më e ndërlikuar se kompjuterët”.
Amy Winehouse
Dëshpërimi i suksesit
Ndoshta ai që arriti të kuptonte më mirë ndjesinë e zbrazësisë që la Amy Winehouse pas vdekjes së saj ishte George Michael: “Vetëm duke e dëgjuar Amy-n, bindesha që muzika rok mund të kishte një kult”. Artistja angleze, e fundit e një race që po shkon drejt zhdukjes, vdiq më 23 korrik të këtij viti. Edhe ajo i dha lamtumirën kësaj bote në moshën 27-vjeçare, njësoj si Jimi Hendrix, Janis Joplin, Jim Morrison dhe engjëjve të tjerë të muzikës rok, me një talent të jashtëzakonshëm. Sa ishte gjallë asnjë nuk mundi ta zbriste nga ai tren që kishte marrë drejtimin e gabuar. Asnjë nuk mundi t’ia shëronte plagët e depresionit dhe dashurisë që i kishin lënë gjurmë në zemër. Nuk mundën ta shpëtonin as talenti, as suksesi dhe as duartrokitjet e fansave: “Muzika është terapia e vetme që kam në dispozicion për ta kthyer dështimin në fitore”, thoshte ajo. Amy ëndërronte që të këndonte “Body and Soul” me idhullin e saj Tony Bennet. Dueti me të ishte regjistrimi i fundit, testamenti i saj: “Të punoje me të ishte njësoj sikur ndieje një drithërimë të gjatë në trup”, është shprehur ai. Mesa duket, është e njëjta drithërimë që na pushton të gjithëve kur dëgjojmë zërin e saj.