Turqia rrëzon aeroplanin sirian
Forcat ushtarake turke njoftuan rrëzimin e një aeroplani luftarak sirian, që sipas kryeministrit turk, Reccep Tayip Erdogan, kishte shkelur hapësirën ajrore të Turqisë.
Raportohet se aeroplani është rrëzuar në afërsi të një zone kufitare me Sirinë, ku prej muajsh forcat rebele dhe ato të qeverisë së Bashar al-Assad po luftojnë prej muajsh për kontrollin e një pikë-kalimi doganor.
Kryeministri turk përgëzoi forcat ushtarake për aksionin. “Përgjigjja jonë do të jetë e vendosur dhe e ashpër për këdo që mundohet të shkelë sovranitetin tonë tokësor dhe ajror”, tha ai.
Nga pala siriane ende nuk ka një reagim zyrtar mbi incidentin në fjalë, por më herët Damasku reagoi për atë që e quan shkelje të vazhdueshëm të sovranitetit të tij nga ana e Turqisë në zonën e Latakias.
“Agresioni ushtarak i pajustifikuar në pikën kufitare të Kasabit shkel sovranitetin e Sirisë dhe vërteton edhe njëherë përfshirjen e Turqisë në punët e brendshme të Sirisë”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme siriane.
Të paktën 100 mijë persona kanë humbur jetën që nga nisja e konfliktit në Siri, tre vite më parë. Luftimet mes forcave rebele dhe atyre qeveritare kanë shkatërruar vendin dhe kanë shkaktuar një krizë humanitare, duke zhvendosur miliona banorë në vendet fqinje dhe vetë brenda Sirisë.
Disa herë Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihma për të zhvendosurit në kampet humanitare në Turqi, Jordani dhe Irak. /TCH/