Bardhyli kundër Maqedonasve
Pas vrasjes së Arkelaut më 399 para Krishtit, mbret I Maqedonisë që më 413 para Krishtit, në këtë mbretëri u krijuan trazira të shumta nga të cilat përfituan Ilirët e sidomos Enkelejtë me në krye Bardhylin (448-358 para Krishtit). Ky i fundit e kishte prejardhjen nga shtresat e ulëta por dallohej për trimëri dhe gëzonte respektin e luftëtarëve përderisa i ndante përfitimet me ta në mënyrë të barabartë. Bardhyli nuk ishte trashëgimtar i Sirrës por e rrëzoi atë me anën e një kryengritjeje dhe më 393 para Krishtit themeloi mbrëtërinë e parë “të mirëfilltë” Ilire. Nën sundimin e Bardhylit kjo mbretëri do të arrinte kulmin e fuqisë së vet si dhe do të dallohej për konfliktet e shpeshta me mbretërinë e Maqedonisë. Sipas Licianit, në luftën vendimtare të vitit 358 para Krishtit kundër Filipit II të Maqedonisë, Bardhyli luftoi mbi kalë në moshën 90 vjeçare. Nuk mund të thuhet me siguri nëse vdiq gjatë kesaj beteje apo doli i gjallë prej saj, por pas kësaj ngjarjeje emri i Bardhylit nuk përmendet më.
Që në vitin e parë të mbretërimit, Bardhyli u sul drejt tokave të mbretërisë Maqedonase duke përdorur taktika të reja luftarake të pa përdorura më parë nga Ilirët me anën e të cilave fitoi një betejë të rëndësishme kundër Amintës III duke e rrëzuar atë nga froni i Maqedonisë. Aminta mundi ta rrimarë fronin një apo dy vjet më vonë me ndihmën e Thesalëve. Pavarësisht kësaj Bardhyli i vazhdoi ekspeditat luftarake kundër Maqedonisë derisa më 972 para Krishtit e detyroi Amintën t’i paguante atij taksë vjetore. Më vonë, më 369 para Krishtit, Ilirët e Bardhylit thyen edhe pasuesin e Amintës, Aleksandrin II (mbret I Maqedonisë nga 370-368 para Krishtit) duke bërë që Ilirët të vazhdonin të mblidhin taksa dhe të sundonin pjesën perëndimore e veriore të mbretërisë Maqedonase. Të njëjtin fat pati edhe Perdika II, vëllai dhe pasardhësi i Aleksandrit II, i cili në vitin 359 para Krishtit u vra në fushë-betejë së bashku me 400 ushtarë të tjerë Maqedonas nga ushtria e Bardhylit. Kjo ishte disfata më e rëndë e pësuar nga Maqedonasit prej Ilirëve.
Pasuesi i Perdikës II, Filipi II i Maqedonisë bëri që situata të ndryshonte në favor të Maqedonisë. Pasi kishte mundur Paionët, Filipi më 358 para Krishtit i drejtoi forcat e tij luftarake kundër Ilirëve. Kjo forcë e cila përbëhej nga 600 kalorës dhe 10,000 këmbësore, përparoi drejt perëndimit duke e hedhur poshtë propozimin për paqe të Bardhylit dhe duke i kërkuar këtij të fundit të hiqte dorë nga zotërimi i të gjitha tokave Maqedonase të pushtuara prej tij. Duke mos i pranuar këto kërkesa dhe me besimin se mund t’i mposhte përsëri Maqedonasit, Bardhyli i doli përballë Filipit me 10,000 këmbësorë dhe rreth 500 kalorës. Diodori na rrëfen se të dy ushtritë luftuan më guxim e trimëri. Filipi i cili komandonte krahun e djathtë duke pasur në dispozicion luftëtarët më të zgjedhur e urdhëroi ushtrinë që t’i sulmonte Ilirët nga krahët ndërkohë që vetë i sulmoi ata përballe. Ilirët u vendosën me të shpejtë në formë kuadrate dhe qëndruan kështu për shumë kohë. Diodori vazhdon rrëfimin teksa shkruan se shumë ranë në fushën e betejës dhe akoma më shumë u plagosën nga të dyja palët. Fati i betejës nuk anoi nga asnjëra palë deri në momentin kur kalorësia Maqedonase i çau Ilirët nga krahët dhe nga shpina ndërkohë që Filipi i theu ata përballë. Kështu pra na e përshkruan Diodori këtë disfatë të rëndë të Ilirëve të cilët humbën rreth 7000 luftëtarë.
Rrjedhimisht , Ilirët u detyruan të pranonin kushtet e Filipit dhe të lironin tokat e pushtuara. Mesa duket e gjithë krahina e Linkestias ra ne duart e Maqedonasve si dhe qyteti Lyhnid (Ohri). Filipi u kthye ne Maqedoni pasi siguroi këtë paqe fitimtare me Ilirët.