Rreth orës 13:10 minuta shpërthimi i kontrolluar i forcave xheniere të ushtrisë shqiptare, prishi strukturën mbështetëse të godinës 5-katëshe të ngritur përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë.
Godina rezultoi e ndërtuar pa leje dhe procedurat për prishjen e saj me anë të shpërthimit, një teknikë e papërdorur ndonjëherë në vendin tonë, nisën në orët e pasdites së shtunë.
Shpërthimi dëmtoi rëndë strukturën mbështetëse të godinës, megjithatë ajo vazhdon të qëndrojë në këmbë. Ekspertët xhenierë të ushtrisë shqiptare thanë se gjithcka shkoi sipas planit, pavarësisht se godina vazhdon të qëndrojë në këmbë. Sipas tyre, nuk mund të vendosej një sasi më e madhe lënde shpërthyese për shkak se shumë pranë ndërtesës ndodheshin banesa të tjera.
Puna tjetër për rrafshimin e godinës do të vazhdohet nga ekskavatorët, buldozerë dhe mjetë të tjera të rënda të posaçme për këto raste.
Perimetri përreth ndërtesës u sigurua nga policia që prej orës 07:00, ndërsa trafiku e kalimtarët u bllokuan gjatë procesit të shembjes në zonë.
Gjatë paradites së dielë, pronarët e godinës dhe të afërm të tyre u përleshën me policinë. Ata kanë protestuar publikisht në media për shkatërrimin, duke pretenduar se godina është me leje për tre katet e saj të para që prej vitit 1991, ndërsa ata bien dakord për shkatërrimin e dy kateve të ngritura ilegalisht gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.