Bruksel- Ndërkohë që shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, Islanda ka vendosur që të tërhiqet nga procesi i integrimit.
Vendimi ka ardhur tre javë pas ndryshimit të qeverisë, ndërsa ministri i Jashtëm, Gunar Bragi Svejnson, tha se do të gjinden mënyra të tjera për të forcuar marrëdhëniet me BE-në. Ky vendim është pritur me keqardhje dhe nga komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle.
“Kështu funksionon demokracia. Ne jemi pjesë e Evropës dhe duam të forcojmë marrëdhëniet tona në mënyra të tjera”,- tha Svejnson.
“Nuk e kam pasur të lehtë të pranoj këtë vendim. Por, jam profesionist dhe respektoj dëshirën e përfaqësuesve të zgjedhur dhe të qytetarëve, pa ndonjë dyshim”,- u shpreh Fyle.
Procesi i anëtarësimit në BE nisi në vitin 2010 për Islandën, ndërsa nuk ka ende shumë detaje për arsyet që e shtynë qeverinë të merrte këtë vendim.