Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj tymit të duhanit. Nuk vihet në dyshim që, ndalimi i plotë i pirjes së duhanit, është në të mirën e fëmijës dhe tuajën. Edhe nëse ju nuk jeni gati të ndaloni pirjen e duhanit, përsëri keni mundësi për të mbrojtur fëmijën nga efekti dëmtues i duhanit. Prandaj, është më se e domosdoshme që të mos qëndroni pranë fëmijës kur jeni duke pirë duhan.
Është shumë e rëndësishme që kur ka fëmijë në shtëpi, të merret vendim që të ndalohet pirja e duhanit në ambientet e shtëpisë.
Duhet pasur parasysh se, rruga e vetme për të mbrojtur fëmijët nga ndikimi dëmtues i duhanit është që, të ndalohet rreptësisht pirja e tij në prezencë të fëmijës, në shtëpi apo në makinë, sepse fëmijët thithin tymin prej ambientit rrethues, pra pinë dhe ata duhan në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.
Prania e fëmijëve në ambiente ku pihet duhan, bën që ata të jenë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve si dhe shton mundësinë e sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes, infeksionit në vesh dhe zhvillimin e astmës si dhe alergjive. Fëmijët që thithin tym duhani në moshë të vogël, janë dy deri në katër herë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes.
Të gjithë kanë mundësi të ndalojnë pirjen e duhanit. Prindërit duhet të flasin me mjekun, nga i cili këshilloheni, merrni mbështetje dhe informacion mbi ndalimin e duhanit. Përvoja tregon se është më e lehtë të ndalohet pirja e duhanit kur ka mbështetjen e duhur.
/ ZERI INFO /