Zëvendësministri i Jashtëm i Sirisë, Faysal El-Mikdad, tha se sulmi i sotshëm ajror i Izraelit në një qendër kërkimore ushtarake në Damask, është “shpallje lufte”.
Duke folur për CNN, ai tha se Izraeli kishte kryer dy sulme ajrore ndaj Sirisë, duke shtuar se këto sulme janë "dëshmi e lidhjes së Izraelit me terroristët". Mikdad theksoi se Siria do të hakmerret kur këtë ajo e dëshiron.
Sipas agjencisë së lajmeve dhe televizionin shtetëror të Sirisë, Izraeli sulmoi qendrën kërkimore ushtarake në veriperëndim të Damaskut, në rajonin e Al-Hame. Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se "ushtria izraelite nuk do të japë ndonjë koment për lajmet siriane”, dhe se as “nuk i refuzojnë e as nuk i pranojnë” ato pohime.
Supozohet se qendra kërkimore që ka qenë objekt i sulmeve të fundit, është caku ku regjimi i Bashar al-Assadit i prodhon armët kimike.
Dëshmitarët thanë se së pari kanë ndjerë dridhje, për të cilat mendonin se ishin pjesë e një tërmeti. Pastaj u dëgjua një shpërthim shumë i fortë. Besohet se ushtria siriane në sulm ajror pësoi humbje të mëdha.
Izraeli nuk ka konfirmuar zyrtarisht sulmin e ri mbi Sirinë. Por, më herët njoftuan se janë të gatshëm për sulme të reja ajrore nëse kanë informata se Siria armatosë kundërshtorët e tyre në rajon, me armë të avancuara.
Presidenti amerikan Barak Obama më herët kishte kërcënuar Sirinë, duke thënë se nuk do të lejojë përdorimin e armëve kimike.
Udhëheqësi fetar shiit iraken, Muqtada al-Sadr, tha se Siria duhet të përgjigjet ndaj sulmeve të Izraelit. Sipas tij, Siria duhet të mbrojë reputacionin e saj dhe se askush nuk e ndalon që të përgjigjet ndaj sulmeve.
Nga ana tjetër, agjencia Anadolija mëson se ministri i Jashtëm i Libanit, Adnan Mansuri, urdhëroi Përfaqësuesin e Përhershëm të shtetit në Kombet e Bashkuara, Nevaf Selam, që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të shtrojë ankesë kundër Izraelit për shkak të shkeljes së sovranitetit libanez.
Zyrtarët libanezë thonë se aeroplanët izraelitë shpesh fluturojnë nëpër hapësirën ajrore libaneze, madje në lartësi të ulëta dhe në rajone të banuara. /Telegrafi/