Lista e të famshmeve kundër përdorimit të botoksit, përkundër atyre që janë përdoruese të injeksionit ‘çudibërës’ është modeste. Mirëpo, kësaj liste i shtohet edhe aktorja e Hollywood-it, Gwyneth Paltrow, e cila ka deklaruar se asaj i pëlqen më shumë plakja natyrale.
Në një intervistë të fundit, aktorja ka qenë e prerë kundër botoksit duke thënë se do të preferonte rrudhat dhe jo përdorimin e botoksit dhe as ndërhyrje kirurgjikale, të cilat shumë prej të famshmeve kanë nxituar t’i bëjnë në emër të bukurisë së përjetshme.
“Do i pranoja rrudhat. Nuk më pëlqen aspak botoksi. Sigurisht që përpiqem të bëj sa më shumë kujdes për ta ruajtur lëkurën time, por kjo s’do të thotë që nuk ha gjithçka çfarë më pëlqen”-ka deklaruar Paltrow për edicionin e muajit mars për revistën “Harper’s Bazaar”.
Ndonëse ajo ka një fizik për t’u pasur zili, aktorja ka deklaruar se nuk mundohet shumë për të pasur linja perfekte. “Nuk mbaj ndonjë regjim të ashpër dietik edhe pse është e natyrshme që kujdesem për imazhin tim”, ka përfunduar një ndër aktoret më të famshme të Hollywood-it, Gwyneth Paltrow.