Forumi Kuq E Zi

Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

$EB@$TJ@N

avatar
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Shkenca, teknologjia, mjekësia: Një histori suksesesh

30 vjet më parë, sistemi diellor ishte një vend i përgjumur. Ne kishim nëntë planetë dhe dhjetëra hëna. Por këta dukeshin si vende inerte e të vdekur – aq sa ne nuk i njihnim fare. Asnjë veprim, asnjë ndryshim.

Sot, panorama nuk mund të jetë më e ndryshme. Sondat e NASA-s kanë gjetur veprimtari gjeologjike në të paktën tre trupa planetarë: hënën e zjarrtë të Jupiterit Io, në Enceladusin e Saturnit dhe në Tritonin e Neptunit. Në Mars janë dokumentuar rrëshqitje dheu dhe djaj rëre në sipërfaqen marsiane. Vëzhguesit nga e gjithë bota kanë parë Jupiterin të goditet nga impakte në të paktën tre raste, duke përfshirë nxehjen dramatike e të shumëfishtë që pësoi në 1994 nga kometa Shoemaker-Levy-9.

Dhe ç’është më e çuditshmja, shkencëtarët po konsiderojnë seriozisht praninë e jetës diku tjetër në sistemin diellor. Marsi është ende vendi kryesor ku duhet kërkuar, por një tjetër prej satelitëve të Jupiterit, Evropa e akullt është një konkurrent, ashtu sikurse është Encelagusi, si dhe sateliti më i madh i Saturnit, Titani. Ky i fundit ka madje edhe liqene të mëdhenj metani të lëngët, të cilët zgjerohen dhe tkurren sipas stinëve.

Shumë njerëz mendojnë se Apollo përfaqësonte kohën e lavdishme të programit hapësinor amerikan, por ky duhet cilësuar i shoqëruar me fjalën me njerëz në bord. Program pa njerëz në bord e ka sot kohën e tij të lavdisë. NASA ka dërguar tashmë anije kozmike që vijnë në orbitë përreth Saturnit, Marsit, Hënës dhe diellit dhe shumë shpejt do të ketë një përreth Mërkurit; Agjencia Hapësinore Evropiane ka dërguar sonda përreth diellit dhe Venusit. AHE po vëzhgon edhe një kometë: Misioni Rosetta do të prekë dhe do të ulet mbi një të tillë në vitin 2014. Po kështu, anija hapësinore e NASA e quajtur “Dawn” do të vijë në orbitë përreth asteroidëve Ceres dhe Vesta në fund të kësaj dekade. Tashmë të tetë planetët janë parë nga afër. Nëse je një fans i Plutonit, do të duhet të presësh edhe disa vite, deri kur New Horizons të fluturojë pranë tij në vitin 2015.

Librari të tëra mund të mbushen me mrekullitë e përftuara prej eksplorimeve me robotë të sistemit diellor, dhe ne vetëm sa kemi gërvishtur sipërfaqen. Kur njeriu të vërë sërish këmbë në Hënë – apo për herë të parë në Mars – ajo që do të gjejë me siguri do të pasurojë edhe më tej dijen që mesazherët tanë robotikë na kanë sjellë.

Dinosaurët

Çdo fëmijë shkolle e dinte me saktësi si dukeshin dinosaurët: me bisht të gjatë që e hiqnin zvarrë, gjakftohtë, zvarranikë, budallenj si një kuti shkëmbinjsh sedimentarë. Speciet e reja që zbuloheshin çdo vit ishin thjeshtë kuriozitete, më shumë material për libra fëmijësh.

30 vitet e fundit e kanë përmbysur gjithë këtë. Duket se dinosaurët nuk ishin aspak të destinuar të shfaroseshin, dhe në një kuptim të vërtetë ata nuk u shfarosën kurrë tërësisht. Çdo zbulim i ri dinosauri duket se na thotë se megabishat e mijëvjeçarëve të kaluar janë më shumë të lidhur me shpendët si thëllëza se sa me dragoin Komodo. Ashtu si shpendët, ata lëviznin në grupe, kujdeseshin për të vegjlit dhe ishin ndoshta me gjak të ngrohtë. Dhe bishtat? Lartë, si bishta pendësh, kryesisht horizontalë dhe mbi tokë. Ideja që dinosaurët ecin ende – apo fluturojnë ende – mes nesh u hodh nga John Ostrim i Yale University në vitet shtatëdhjetë, por mbeti kryesisht një argument deri kur mali i provave që sa vinte e rritej varrosi të gjithë kundërshtitë. Në vitin 1993, në shkretëtirën e Gobit, eshtrat e një Citipati u gjetën në një pozicion ku ngrohnin një fole me vezë. Studimet e skeletëve zbuluan qindra ngjashmëri mes zogjve modernë dhe dinosaurëve: duar me tre gishta, kyçet e këmbëve lart mbi tokë. Më pas, në vitin 1995, shkencëtarët nisën të zbulojnë copëza nga Sinosauripoteryx, si dhe dinosaurë të tjerë me pupla nga provinca e famshme Liaoning në Kinë, ndërkohë që kulmi erdhi në vitin 2000 me zbulimin e një dromaeosauri të paprekur të mbuluar me pupla që kishte shumë prej tipareve fizikë të një zogu. “Është e vulosur”, thotë Jack Horner, kurator i paleontologjisë në Muzeun e Universitetit të Montanës. Dikush mund të thotë: shikoni dallimin mes një gushëkuqi dhe një T-Rex-i. Sigurisht që ka shumë dallime, por mund të përdorësh ngjashmëritë për të përcaktuar afërsinë. Është një paradigmë që ka ndryshuar”. Sa për zhdukjen e paraardhësve tokësorë të zogjve tanë, kjo pjesë e enigmës mbetet e pazgjidhur.

Mjet shërimi

Edhe mjekësia e ka pasur momentin e artë, të ngjashëm me atë të ndarjes së atomit në fizikë: aftësia për të ndarë, bashkuar dhe çliruar fuqinë e jashtëzakonshme që ndodhet tek genet dhe qelizat. Momenti i madh ka ardhur nga shkrirja e dy fushave – terapia e geneve dhe terapia e qelizave – që sot po sjellin kura dhe trajtime prej mrekullish. Por në një kohë që kërkimet e atomit patën një debutim të vetëm dhe shpërthyes, trajtimet e bazuar tek genet dhe qelizat kanë pasur disa faza, pas starteve jo shumë premtues. Një hap i madh përpara u hodh në vitin 1985 kur shkencëtarët nisën të lëvizin genet në qelizat e gjitarëve duke i transferuar më parë në një virus. Genet, ndonëse hasnin fillimisht vështirësi, më në fund hynin në bërthamën e qelizës dhe nisnin të punonin përkrah geneve të lindur që ndodheshin tashmë aty. Më pas, gjërat shkuan keq. Jo vetëm që terapia e geneve nuk arriti të kurojë sëmundjen, por Jesse Gelsinger, një djalë me një çrregullim të rrallë metabolik, vdiq gjatë një eksperimenti klinik në vitin 1999.

Vetëm kohët e fundit kanë nisur të triumfojnë terapia e geneve dhe qelizave, duke huazuar dhe shkrirë në një qasjet e njëra-tjetrës. Një provë e jashtëzakonshme erdhi në vitin 2007, kur shkencëtarë gjermanë trajtuan një pacient 40-vjeçar për HIV dhe leuçemi me anë të qelizave, të cilave u mungonte receptori i HIV, gjë që i bënte ato rezistente ndaj virusit. Pacienti u kurua dhe, tre vjet më vonë, mbetet në gjendje të mirë. Në një tjetër sukses mbresëlënës, shkencëtarët në Itali dhe në SHBA kuruan fëmijë me keqfunksionim të shkakntonte një grumbullim të produkteve toksike që shkatërrojnë sistemin imunitar. Doktorët u dhanë pacientëve qeliza që përmbanin kopje të një geni që funksiononte mirë për enzimën; pas kësaj, sistemi imunitar i bebeve ishte në gjendje të rindërtohej vetë.

Terapia e kombinuar po fiton edhe më shumë fuqi teksa shkencëtarët manipulojnë genet për të kthyer qelizat e zakonshme në gjendjen e tyre embrionale. Qelizat embrionale mund të rikthejnë në gjendje të mirë trurin dhe sistemin imunitar, si dhe të rigjenerojnë organet. “Po vjen koha kur në te jemi në gjendje të riparojmë indet e zemrës pas një ataku dhe të rikthejmë prurjen e gjakut në gjymtyrë, që përndryshe do të ishin amputuar”, thotë profesor Robert Lanza. “Atëherë do të shohim pas në kohë e do të themi: A e besoni dot sa shumë kanë vuajtur njerëzit”?

Alienët

Në vitet tetëdhjetë, nëse dëshiroje të dëgjoje për planete që vinin vërdallë yjeve të tjerë, kishe zgjedhjen e burimeve: Star Wars ose Star Trek. E gjithë kjo ndryshoi në vitin 1995 me zbulimin e një planeti që vinte në orbitë përreth 51 Pegasi, një pothuajse binjak i diellit që ndodhet pothuajse 50 vite dritë larg. Astronomët zviceranë Michel Mayor dhe Didier Queloz e gjetën botën e largët duke parë gravitetin që tërhiqte yllin-prind. Në vitin që pasoi, shkencëtari amerikan Geoffrey Marcy dhe Paul Butler konfirmuan këtë zbulim dhe shumë shpejt zbuluan edhe ata disa planetë.

Zbulimet e para të ekzoplanetëve ngritën në këmbë botën e astronomisë. Shkencëtarët kishin pranuar gjithmonë se sistemete të tjerë diellorë (nëse ekzistonin) do të ishin pak a shumë si yni. Jo këta: Këta planetë të rinj ishin gjigandë, si Jupiteri, por më shumë se gjysma e tyre ndodhen më pranë diejve të tyre nga sa ndodhet Mërkuri nga Dielli, duke ardhur në orbitë brenda vetëm pak ditëve nën temperatura shumë të nxehta. Teoritë tona se si krijohen planetët duhej që të griseshin dhe rishkruheshin. Që atëherë, astronomët kanë zbuluar më shumë se 400 botë të reja, dhe kemi parë një surprizë pas tjetrës.

Disa planetë ndjekin orbita ovale. Të tjerë vijnë përreth diejve të tyre përsëprapthi, apo kanë përbërje të çuditshme e të papritura. Tqë gjithë bashkë, ata janë prova se universi është shumë më i çuditshëm dhe më krijues nga sa e kishim imagjinuar.

Deri në pranverën e ardhshme, teleskopi gjigand në kërkim të planetëve i njohur me emrin Kepler – i refuzuar tre herë nga NASA, por më pas i pranuar pas atyre zbulimeve fillestarë të planetëve në vitet nëntëdhjetë – me shumë gjasa do të zbulojë planetin e parë të ngjashëm me Tokën që vjen në një orbitë të ngjashme me atë të Tokës. Ky gur themeli me siguri do të shkaktojë një revolucion të ri, teksa vëzhguesit i dyfishojnë përpjekjet e trye për të vëzhguar direkt botë të ngjashme me Tokën dhe studiojnë atmosferat e trye në kërkim të shenjave kimike të jetës. Dhe ka shumë gjasa që edhe këta planetë të mos jenë ajo çfarë ne presim.

Thejsht studimi i jetës nga planetë të ngjashëm me Tokën do të ishte shumë e vështirë. Por, në fund të fundit, 15 vjet më parë askush nuk priste zbulim ekzoplanetësh. (Teleskopi hapësinor James Webb që do të nisë në 2014 mund të jetë në gjendje të gjejë shenja biologjie në një botë aliene). Ja një parashikim i guximshëm: pas 20 vitesh, enigma që lidhet me pyetjen a ka apo jo jetë diku tjetër në univers do të jetë zgjidhur.

Atomi

“Nanoteknologjia” – çdo gjë e ndërtuar në shkallë nanometri, vetëm disa herë më shumë se madhësia e një atomi – ka një aureolë shkence imagjinare përreth. Megjithatë, gjithkush prej nesh me siguri ka pasur pranë dikur e diku pak nanoteknologji. Provoni të bëni një kërkim në Google për këtë fjalë. Ja pra, tek e përdorët.

Revolucioni nisi heshturazi në vitin 1981, kur Gerd Binning dhe Heinrich Rohrer tek IBM në Zyrih shpikën Scanning Tunneling Microscope (STM), i cili mund të lexonte një sipërfaqe atom për atom. Gjatë dekadës së fundit, studiuesit kanë përshtatur STM-të për të vëzhguar molekulat organike dhe për të ndërtuar pajisje të thjeshta që përdorin atome. Në po të njëjtën kohë, inxhinierët elektronikë po punonin nga lartë poshtë për të mbërritur në nanoshkallë, duke vendosur gjithnjë e më shumë tranzistorë (dhe më të shpejtë) në chip-e silikoni. Kjo përpjekje lejoi dyfishimin e shpejtësisë së procesorëve çdo 18 muaj, një përparim që njihet si Ligji i Moore. Deri në fillimin e viteve 2000, madhësia e tranzistorit kishte zbritur nën të dhjetë miliontën e një metri, duke sjellë kompjuterët dhe celularët në mbretërinë e nanoteknologjisë. Dhe progresi vazhdon: në fund të vitit që kaloi, shkencëtarët në Finlandë dhe Australi ndërtuan një tranzistor eksperimental nga një atom i vetëm fosfori.

Faza tjetër e teknologjisë atomike mund të sjellë zëvendësimin e silikonit me substanca të tjera që i përshtaten nanoshkallës. “Materialet ndryshojnë karakteristikë kur hyjnë në këtë botë të re”, thotë James Yardley, drejtor i Shkencës e Nanoteknologjisë në Universitetine e Columbias. Ai dhe kolegë të tij ishin ndër të parët që zbuluan shtresa karboni një atom të trasha të quajtura grafine. Në teori, elektronet duhet të lëvizin nëpër këto shtresa pa rezistencë. “Nëse mund të bësh këtë, atëherë mund të transmetosh energji elektrike nëpër të gjithë vendin pa pikë humnbje”, thotë Yardley. Në shkurt të vitit që kaloi, shkencëtarë të IBM krijuan një tranzistor grafine që mund të ndizet dhe fiket 100 miliardë herë në sekondë, pothuajse dy herë më shpejt se sa tranzistori me silikon.

Nanoteknologjia në botën reale ka pasoja që shkojnë përtej kompjuterëve – pasoja që më në fund mund të japin një thelb për vizione të dikurshme të shkencës. Grafine është kaq shtresë e fortë saqë ka bërë disa shkencëtarë të mendojnë të ndërtojnë ashensorë në hapësirë. Ndërkohë, strukturat e vogla të karbonit po prodhohen për bateri me karikim të shpejtë, qeliza diellore eficiente, si dhe kapsula të implantueshme. “Kemi njohurinë dhe mjetet për ta bërë të ndodhë e gjithë kjo”, thotë Yardley.

Pema gjenealogjike

Studimi i origjinës njerëzore është shënuar nga debate të forta mbi identitetin e paraardhësit tonë të parë. Beteja simbolizohet më së miri nga e famshmja Lucy, një fosil Australopithecus afarensis që është zbuluar fillimisht në vitin 1974. Debati i ndezur mbi origjinën e Lucyt mbështolli shkencëtarët në vitet tetëdhjetë dhe mbetet i pazgjidhur, por prova për këtë mund të mos ketë vlerë. “Nuk më duhet fare”, thotë paleoantropologu i Sony Brook, William Jungers. “Ajo na lejon të kuptojmë se si dukeshin të lashtët tanë: dytrajtësh seksualisht, dykëmbësh me tru të vogël që ruanin aftësinë për të hipur nëpër pemë”.

Studimet e fundit ofrojnë një këndvështrim më të thellë dhe më të gjerë të lashtësisë humane. Ja një: qeniet e hershme njerëzore çiftoheshin me neandertalët, sipas një gjeneticisti evolucionar i quajtur Svante Paabo, si dhe kolegëve të tij në Institutin Mac Plank në Gjermani. Përmes një analize të fragmenteve të ADN së kockave të neandertalëve, Paabo gjurmoi çiftimin e tyre 60 mijë vjet më parë në Lindjen e Mesme. Sot, nga 1 deri 4 për qind e genomit të njeriut jashtë Afrikës është neandertal. Një tjetër befasi erdhi vitin që kaloi kur Tim White i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, si dhe ekipi i tij zbuluan Ardipithecus ramidus (“Ardi”), një femër 4.4 milionë vjeçare. Dykëmbëshe në tokë, por shumë e aftë në kërcimet në pemë. Ardi lë të kuptohet se paraardhësi i përbashkët që ndajmë me shimpanzetë ka qenë një majmun.

Dhe në fund, në 2004, në një shpellë në ishullin Flores në Indonezi u gjetën kocka të një kushëriri të njeriut me përmasa jo më të mëdha se një 4-vjeçar i sotëm. Zbulimin e bëri arkeologu Michael Morwood i Universitetit të Wollongong në Australi. Eshtrat janë 14 mijë vjeçare, por mjetet e punës pranë tyre janë një milionë vjeçare. Pas debateve të ashpra, shumica e paleoantropologëve sot bien dakord se Homo floresiensis, është një paraardhës i njeriut me një tru shumë të vogël të mbështjellë në mënyrë të tillë që rrit kompleksitetin e tij. “Ne jemi hominidi i fundit”, thotë Junger. Por nuk është më e qartë nëse jemi ne kurora e krijimit, apo thjeshtë një degë tjetër e pemës së evolucionit.

ADN

Në vitin 1990, biologët nisën një prej udhëtimeve më ambiciozë vetëzbulues të shkencës: renditja e çdo çifti bazë në kodin tonë gjenetik. Një dekadë më vonë, në shkurt 2001, Human Genome Project (HGP) i financuar me fonde publikë, si dhe Korporata Celera, me financim privat kryesuar nga J. Craig Venter botuan veç e veç draftet e tyre të genomit njerëzor. Në vitin 2003, HGP nxorri një hartë të plotë. Më pas.. asgjë. Gjetja e lidhjeve mes genomit dhe sëmundjeve rezultoi shumë më e ndërlikuar se sa kishin shpresuar biologët. Sëmundjet e zakonshme duket se shkaktohen nga ndërveprime të ngatërruar mes geneve dhe genet reagojnë në mënyra konfuze ndaj sinjaleve mjedisorë. Por pikërisht atëherë kur dukej se HGP nuk do të na çonte asgjëkundi, hyri në modë bioinformatika – trajtimi i ADN si të dhëna.

Studimi i shenjuesve genetikë kish rezultuar i vyer tashmë për biologjinë evolucionare dhe shkencën, të ndihmuar nga shpikja e PCR nga ana e kimistit Karry Mullis në 1983, një mënyrë eficiente për të amplifikuar fragmente të vegjël të ADN. Hedhja e genomeve në kompjuter hapi mundësi të reja. ADN dixhitale nisi të revolucionarizojë studimin e paraardhësve të njeriut. Sot, biologu molekular Leroy Hood, president i Institutit të Sistemeve të Biologjisë në Seattle, po përpiqet të përdorë mjetet e bioinformatikës për të krijuar një lloj ilaçi që ai e quan P4. Duke analizuar genet brenda një familje, ai ka studiuar genin që lidhet me sindromën Miller, një defekt në fytyrë. Më tej ai synon të zbulojë dhe shërojë edhe gjendje të tjera më komplekse shëndetësore – kardiovaskulare, neurodegjenerative dhe sëmundje imunitare. “Në 5-10 vite, çdo pacient do të rrethohet nga një re virtuale prej miliarda pika të dhënash”, parashikon ai. “Ne do të jemi në gjendje të gërmojmë këtë informacion si dhe të sigurojmë informacione mbi shëndetin dhe sëmundjet”.

E trajtuar si informacion, ADN mundet gjithashtu të manipulohet për të krijuar organizma. Biologu Venter përdori kohët e fundit këtë qasje për të krijuar atë që e quan organizmin e parë sintetik. Ai mendon se shumë shpejt do të vijë dita kur ADN mund të shkruhet si program kompjuterik dhe mikrobet mund të “programohen” për të gjeneruar energji jo të kushtueshme, fertilizantë, ilaçe apo ushqime. Një qëllim i mundshëm: shndërrimi i mbetjeve në ujë të pastër, energji elektrike, apo të dyja. Një tjetër: luftimi i ngrohjes globale përmes thithjes së dioksidit të karbonit nga ajri. ‘A mund të bëjmë biftekë artificialë?”, pyet Venter. “Na kufizon vetëm imagjinata jonë”.

Interneti

Mendoni pak mënyrat se si interneti ka përmirësuar jetët tona që nga shpikja e tij në 1989. Po na bën më të shëndetshëm: në vitin 2007, 160 milionë amerikanë shihnin për informacione mjekësore në internet, sipas një sondazhi të Harris Interactive. Ne mund të marrim këshilla direkt nga klinikat “Mayo” apo të kërkojmë në një forum dhe përftojmë dijet e turmës.

Lehtëson mbledhjen e informacionit: Kur Irani iu kundërvu protestuesve vitin që kaloi, filmime të tmerrshme të kaosit po bënin xhiron e kompjuterëve dhe celularëve në të gjithë botën, brenda vetëm pak minutave. Ne kemi akses në një miliardë reporterë online gjatë 24 orëve.

Është një motor turbo nga pikëpamja ekonomike: Sot, çdokush mund të nisë një biznes global për pothuajse asgjë, ndërkohë që rri ulur në dhomën e ndenjes. Inxhinierë, drejtues, shitësa dhe ekipe krijues mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me klientë kudo në botë. Shitjet në internet po i afrohen shifrës 150 miliardë dollarë në vit vetëm në SHBA.

Po rigjallëron politikën: Fushata presidenciale e Barak Obamës grumbulloi gjysmë milioni dollarë, nga më shumë se 3 milionë njerëz në internet. Sot, transmetimet online nga Shtëpia e Bardhë kanë bërë komentatorët ta quajnë “presidenca e YouTube”.

Po na lidh: Ne jemi më pranë shumë njerëzve për periudha më të gjata kohe. Facebook ka 500 milionë përdorues aktivë që shpenzojnë në faqe më shumë se 700 miliardë minuta në muaj.

Por prapë, interneti po na bën më të sëmurë, ose të paktën po na bën të ndihemi të tillë: Një studim i vitit 2008 nga Microsoft Research tregonte se kërkuesit në internet kanë prirjen të fokusohen vetëm tek rezultatet e para, që zakonisht vënë theksin në diagnoza më të zakonshme si dhimbje koke (tumor në tru!) dhe dhembje gjoksi (atak në zemër!)

Dëmton grumbullimin e lajmeve: 30 gazeta të përditshme janë mbyllur në 3 vitet e fundit, dhe pothuajse gjithë të tjerat janë tronditur nga shkurtimet, teksa kompanitë që botojnë reklama janë larguar drejt blogjeve dhe burimeve të tjerë të lajmeve në internet.

Është një sabotator ekonomik: Segmente të mëdha të industrive të reklamave dhe argëtimit janë shkatërruar nga publikimet falas (shpesh herë piratë) online, si muzika dhe videot.

Po helmon politikën: Studimet tregojnë se njerëzit kanë prirjen të lexojnë faqet e internetit që kanë prirjen të përforcojnë besimet dhe bindjet e tyre. Mes fituesve mëtë mëdhenj politikisht në internet kanë qenë grupet e urrejtjes dhe grupet terroristë, shumë prej të cilëve kanë pësrosur teknikat e grumbullimit të fondeve dhe rekrutimit online.

Po na armiqëson: Sociologët bëjnë thirrje që të bëhet kujdes sepse Facebook-u dhe të tjerë kënde lojërash online po i pengojnë fëmijët që të dalin nga shtëpitë dhe të takojnë njëri-tjetrin, duke kufizuar aftësitë e tyre sociale dhe inkurajuar obezitetin.

E padiskutueshme është se interneti po ndryshon sjelljen tonë. Mund të jetë duke ndryshuar edhe mënyrën se si funksionon truri ynë. Por kur të kemi kuptuar se cilët janë këto ndryshime, nuk do të ketë rëndësi, sepse të gjithë do të jenë rritur në një botë kur interneti është i pandashëm nga çdo gëj që ne bëjmë. E doni apo jo ndryshimin, nuk është se ai po pret për miratimin tuaj.

Truri

Përpara se neuroshkenca t’i përgjigjej pyetjes më të madhe – si i transformon truri reaksionet kimikë dhe pulset elektrikë në aftësi njohëse – i është dashur shumë mund. Në fillimin e viteve ‘80, mjete të reja bënë të mundur hartëzimin e makinerisë brenda një qelize të trurit të njeriut. Duke përdorur elektroda qelqi shumë të vogla që ishin në gjendje të masnin rryma në pikoamperë, shkencëtarët mund të vëzhgonin një pore të vogël neuronale që hapej dhe mbyllej për të transmetuar një sinjal. Në po të njëjtën kohë, teknikat e gjenetikës dhe biologjisë molekulare nisën të zbulojnë sinjalet e ngatërruar biokimikë që sinapset dërgojnë gjatë komunikimit.

Ndoshta ideja më e fuqishme që doli prej këtyre risive ishte zbulimi që neuroplasticiteti, aftësia e trurit për të ndryshuar dhe përshtatur, vazhdon deri në moshë të madhe. Siç kanë treguar neuroshkencëtari i Universitetit të Columbias Eric Kandel dhe të tjerë, neuronet reagojnë ndaj stimulimeve duke ndryshuar aktivitetin dhe lidhshmërinë e tyre, duke rimodeluar kështu arkitekturën e trurit. Nëse truri i një të rrituri është fleksibël, atëherë mund të thuhet që dëmtimi apo lëndimi mund të kthehen mbrapsht.

Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë po përdornin neuroimazhet për të vëzhguar të gjithë trurin e njeriut pa e hapur kafkën. Në vitet 1980, skanimet me positron emission tomography (PET), që pikasin metabolizmin neural përmes gjurmuesve radioaktivë ofruan pamjet e para të trurit në momente mendimi. Në 1990, FMRI ofroi një mënyrë më të sigurtë për të gjurmuar ndjesitë dhe emocionet teksa ndodhnin.

Një vizion edhe më holistik i trurit po shfaqet përmes konektomikës, që synon të krijojë një diagramë me fije të të gjithë trurit të njeriut. Kohët e fudnit, një teknologji e quajtur optogjenetikë u ka mundësuar eksperimentuesve të “fikin” apo “ndezin” qarqe të trurit duke hedhur dritë lazer mbi sinapse të modifikuar gjenetikisht. Pasoja: një kuptim më i thellë i mendimit dhe ndjenjës mund të jetë më afër nga sa mendojmë ne.

Në këndvështrimin e ri, truri duket si një “mozaik i luhatshëm fushash në një gjendje ekuilibri dinanmik”, thotë V.S. Ramachandran, një neurolog në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.

Universi i vogël

Fizikani Saul Perlmutter e mban mend shumë mirë se si ishte kozmologjia në kohën kur po diplomohej, 25 vjet më parë. “Bëhej një shaka që, nëse kishe afërsi me dhjetë herë në matje, atëhetrë ishe në rregull”, thotë ai. Vlerësimet për moshën e universit varionin nga 7 miliardë në 20 miliardë vite. Nuk ishte një disiplinë e famshme për saktësinë.

Kozmologjia rilindi më 18 nëntor 1989, me lëshimin e Cosmic Background Explorer (COBE). COBE bëri matjet e para të sakta të rrezatimti të lënë pas nga Big Bang. Sipas teorisë, copëza shumë të vogla morën përmasa kozmike brenda fraksionit të parë të sekondës pas lindjes së universit. COBE siguroi provat për modelin standard të Big Bang. Një zhvillim i dytë erdhi në 1998 nga dy ekipe astronomësh që studionin supernovat në galaksi të largëta. Ata zbuluan se ekspansioni i universit po përshpejtohet, i nxitur nga një karakteristikë enigmatike e hapësirës që sot quhet energjia e zezë. “A do të vazhdojë energjia e zezë përshpejtimin e zgjerimti të universit?” pyet Permutter. “Apo mos do të ndryshojë dhe do të sjelël kolapsin e tij”?

Në vitin 2001, pasardhësi i COBE, WMAP i solli edhe më shumë precizion kozmologjisë. WMAP zbuloi më në fund moshën e saktë të universit: 13.7 miliardë vite. Tregoi gjithashtu se materia e zakonshme – atomet që përbëjnë galaksitë, planetet dhe nejrëzit – zë vetëm 4% të përbërjes së universit. Materia e zezë, e padukshme përveç se për ndikimin gravitacional, zë afro 23%: pjesën tjetër e zë energjia e zezë. Misioni i Energjisë së Zezë që do të nsië në 2016 do të ofrojë më shumë detaje. Ky observator hapësinor do të jetë në gjendje të studiojë supernovat që kanë shpërthyer 10 milionë vjet më parë për të analizuar marrëdhënien e ndryshueshme mes tërheqjes së masës dhe shtytjes së energjisë së errët. “Na nevojiten matje 20 herë më të sakta se ato që kemi sot”, thotë Perlmutter. Këto matje – dhe epoka e re e kozmologjisë – po vijnë.

Fizika

Një epokë e re në fizikë duhej të kish nisur 11 vjet më parë në Teksas. Atje ishte menduar që Superconducting Supercollider, një akselerator thërrmijash në formë rrethore të përplaste protonet. Kostot e larta detyruan Kongresin të anulojë eksperimentin në 1993. Nëse projekti do të kish vazhduar siç ishte planifikuar “sot ne do të kishim një brez të ri pyetjesh”, thotë fizikani Frank Wilzek. “Por më duhet të them se po hyjmë në një tjetër epokë të artë”.

Arsyeja përse është optimist? Large Hadron Collidder, një akselerator pothuajse po aq i fuqishëm pranë Gjenevës që nisi të lëshojë protone verën që kaloi. Ai mund të ofrojë provat më të mira se katër forcat natyrore që i japin formë botës sonë – graviteti, elektromagnetizmi, forca e fortë dhe forca e dobët – janë manifestime të një ligji të vetëm. Përmes një përpjekje një dekadëshe, fizikanët kanë arritur të inkorporojnë të gjithë forcat përveç gravitetit në një teori të quajtur modeli standard. LHC është projektuar për të gjetur thërrmijat hipotetike që do të mbështesnin këtë teori.

LHC mund të çojë fizikanët drejt një kuadri bashkues që shkon edhe përtej modelit standard. Teoria e fijeve ka dominuar fizikën teorike për pjesën më të madhe të 30 viteve të fundit, megjithatë mbetet e debatueshme. Shumë nga ata që i përkasin kësaj fushe mendojnë se teoria është e vlefshme, por nuk mund të falsifikohet me eksperiment, standardi sipas të cilit gjykohen konceptet shkencorë.

Ndonëse LHC as nuk do i afrohet pikasjes së fijeve, ai mund të konfirmojë një teori pararendëse të quajtur supersimetria, në të cilën çdo lloj thërrmije që njihet ka një superpartner: një binjak të paqëndrueshëm, më të rëndë. Nga ana tjetër, mosvërtetimi i thërrmijave supersimetrike në LHC do të ishte një goditje e rëndë për teorinë e fijeve. ‘Teoria e fijeve ka qenë mbresëlënëse matematikisht”, thotë Wilzek. “Por ka qenë zhgënjyese në përshkrimin e realitetit fizik”.


________________________
Jeta vazhdon, e ardhmja te pret, mos e kthej koken mbrapa, se e shkuara te vret.
Kam Lindur Per Te Vdekur , Por Nuk Do Vdes Pa Lene Gjurme...
http://kuqezi.albanianforum.net/

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons