Forumi Kuq E Zi

Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

$EB@$TJ@N

avatar
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor
Lexime dhe refleksione të veprës së H.P. Lovecraft

Ekzistencë e çuditshme, muzgore, bile nokturne ajo e shkrimtarit Howard Phillips Lovecraft, i lindur në Providence të shtetit Rhode Island, në vitin 1890 dhe i vdekur pranë Jane Brown Memorial Hospital të qytetit të tij të lindjes në mars të vitit 1937, si pasojë e një tumori në zorrë, në fazë të avancuar pak ditësh pas shtrimit me urgjencë.

Dy prindër jo tamam të ekuilibruar, duke parë që i ati, Winfield Scott (përfaqësues tregtar), pas një serie shqetësimesh të rënda psikike, përfundimisht ndalohet dhe shtrohet në çmendinë kur fëmija është vetëm 3 vjeç (do të vdesë më pas në vitin 1898, pa e rifituar më kurrë arsyen) dhe e ëma, Sarah Susan Phillips, e mbyt me kujdesjet e saj plot ankth dhe të tepruara.

I transferuar në shtëpinë e gjyshërve, fëmija frekuenton bibliotekën e pasur dhe, si autodidakt, formon një kulturë të thellë dhe eklektike që kalon nga letërsia dhe nga filozofia tek shkencat, veçanërisht ndaj kimisë dhe astronomisë, në të njëjtën kohë në të cilën çimentohet me tregimet dhe kompozimet poetike të para.

Akoma më shumë i trishtuar se Leopardi, ndoshta edhe për shkak të studimit të çmendur e të dëshpëruar, fillon që të vuajë ezaurimet nervore nga mosha 10-vjeçare. Në moshën 15-vjeçare goditet në kokë si pasojë e një rrëzimi dhe nga ai moment fillon të vuajë dhimbje koke të tmerrshme, të cilat do ta persekutojnë gjatë të gjithë jetës.

Si aspirues për shkrimtar, modeli i tij (ashtu si për shkrimtarin tjetër të madh amerikan të ankthit, Ambrose Bierce) '700-a angleze: të asaj periudhe janë autorët e preferuar që nën drejtimin e të gjyshit "zbulon" në bibliotekën e shtëpisë Phillips dhe nga ata do të fitojë atë stil karakteristik arkaicizues (më i dallueshëm në epistolar, por i gjetshëm edhe në tregimet e romanet e pjekurisë), mbi të cilin vetë ai nganjëherë bënte shaka (për shembull, posedojmë një autoportret ironik që e paraqet të zhytur në letra, me veshje të '700-ës dhe me goxha paruke të pudrosur).

Nga mosha 16-vjeçare bashkëpunon rregullisht me revista të rëndësishme astronomie, duke rënë në sy për përgatitjen dhe për mprehtësinë e tij prej studiuesi (për shembull, thekson ekzistencën e planetit Pluton, i nuhatur nga disa astronomë dhe në mënyrë të veçantë nga Percival Lowell, por i vërejtur drejtpërsëdrejti jo më herët se viti 1930), shkruan edhe një manual kimie inorganike, i cili do të humbasë dhe duket se vendoset në drejtimin ngurtësisht empirist dhe pozitivist të kërkimit shkencor, duke vënë shumë herë në shenjë "sharlatanizmin" e parashikimeve astrologjike.

Në moshën 18-vjeçare pushon së frekuentuari liceun, më shumë se kurrë i burgosur nga e ëma (prej influencës të së cilës djeg të gjitha tregimet e tij rinore) nën një kambanë të xhamtë.

Në kompensim fillon të bëjë shëtitje dhe ekskursione në vende të largëta dhe të izoluara të New England, në kërkim vendbanimesh të lashta dhe "gjurmësh" qytetërimesh të humbura misterioze, që do të shërbejnë si sfond për shumë vepra të mëpasme të tij.

Ndërkaq, formimi i tij kulturor përjeton një impakt të dyfishtë dhe kontradiktor: atë shkencëtar e materialist, që e bën të konceptojë idenë e një universi mekanicist, të dominuar nga ligje matematike dhe totalisht i mbyllur ndaj idesë së transhendentes, dhe një delli ëndërrues, fantastik, "romantik", që e shtyn të shkruajë vargje (për disa vjet do të mbajë këtë vokacionin e tij të vërtetë prej shkrimtari), të jetojë me ëndrra dhe fantazi rreth një bote të largët në kohë (duke filluar nga '700 e dashur angleze) e në hapësirë (duke imagjinuar një realitet universesh paralele që nganjëherë vihen rastësisht në kontakt me tonin) dhe të populluar nga një panteon hyjnish dhe kërcënuese në kuptimin e vërtetë të fjalës, gjithmonë të gatshme që të pushtojnë dimensionin tonë.

Bile këto hyjni e kishin dominuar Tokën në kohëra që nuk mbahen mend (në illo tempore, do të thoshte historiani i feve Mircea Eliade, domethënë në një kohë mitike, parahistorike në sensin paraprirës të historisë së njohur për ne) dhe tani janë në pikën që të rikthehen, të evokuar nëpërmjet ritesh sakrilegje nga një pjesë e njerëzimit, ajo e formuar nga trashëgimtarë kryqëzimesh të papërmendshëm që ndodhën midis humanëve dhe jashtëtokësorëve.

Dhe këtu mendimi nuk ka se si të mos kthehet në atë pasazh misterioz dhe shqetësues të Dhiatës së Vjetër (zanafilla, VI, 1-4): "Kur njerëzit filluan të shumëfishohen në Tokë dhe lindën fëmijët e tyre, djemtë e Zotit panë se vajzat e njerëzve qenë të bukura dhe morën për gra sa deshën prej tyre…

Kishte gjigantë në Tokë në atë kohë - edhe më pas - kur djemtë e Zotit bashkoheshin me vajzat e njerëzve dhe këto lindnin fëmijët e tyre: janë këta heronjtë e lashtësisë, njerëz të famshëm".

Në vitin 1913 i bie në sy një drejtori të një reviste amatoreske narrative dhe hyn kështu në rrethin letra, edhe se do të duhen edhe dhjetë vjet të tjera që të fillojë vërtet të "çajë".

Faktikisht, në vitin 1923 do të botojë tregimin "Dagon" në të përmuajshmen e të tmerrshmes Weird Tales, aq pak kohë më pas do t'i ofrojë bile drejtimin, por Lovecraft do ta refuzojë, duke mos dashur të transferohet në Chicago, ku ka selinë revista. Shumë tregime të tij botohen me emra amatorësh pasanikë dhe ambiciozë (midis të cilëve prestigjiatori dhe iluzionisti i famshëm Harry Houdini).

Në të vërtetë, qysh nga viti 1911, për shkak të një dështimi financiar, familja e Lovecraft është katandisur në varfëri dhe shkrimtari nuk do të dalë kurrë nga vështirësitë ekonomike.

Të shkruash shkrime që të tjerë do t'i nënshkruajnë, është një mënyrë mbijetese, por kjo, pas vdekjes së tij, do t'i japë jetë një vështirësie të rëndë filologjike: atë të identifikimit të shkruar vërtet prej tij, por jo të firmosur prej tij; atë të shkruar në bashkëpunim me autorë të tjerë dhe, në fund, ato të cilëve u kanë dhënë spunton, skemën, disa elementë narrativë dhe për t'i ndarë nga një numër i madh tregimesh false që, siç ka ndodhur me autorë po aq të rezervuar, por shumë më të mëdhenj se ai (për shembull, të kihet parasysh Virgjili dhe çështja e Appendix vergiliana) filluan menjëherë të qarkullojnë me firmën e tij, por që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë aspak me "vetmitarin nga Providence").

Ndërkohë, Lovecraft bën tentativën e tij të parë e të vetme për të krijuar një ekzistencë të pavarur. Me vdekjen e të ëmës në vitin 1921, kish mbetur të jetonte me tezet.

Gjatë një mbledhjeje shkrimtarësh kish njohur një vajzë të re hebreje me origjinë ruse, vejushë dhe 7 vjet më e madhe nga ai dhe në vitin 1924 do të martohej me të, duke u transferuar në apartamentin e saj në lagjen Brooklyn të New York.

Tentativë tejet qesharake dhe jetëshkurtër e bërë akoma më e vështirë nga transferimi në megalopolin kaotik dhe tentakular (që aq shumë do të godasë Garcìa Lorca e "Poeta en Nueva York"), dhe nga largimi nga Providence shumë e dashur e tij dhe nga "aroma" arkaike e Neë England.

Në krye të dy vjetëve, Lovecraft lë New York e gruan dhe kthehet në Providence, duke u transferuar në një apartament të vogël ku do të jetojë shumë i tërhequr - duke dalë, me sa duket, pothuajse vetëm në orët e mbrëmjes - dhe i parë nga tezja Lilian, e cila nga dashuria për të është transferuar një kat më sipër.

I torturuar nga ankthe, neuroza, pasiguri patologjike, jeton më shumë se kurrë një jetë prej dostojevskiani nëntokësor, krijesë haluçinante dhe hënore, i zhytur në një klimë ankthi të evokuar prej vetë atij në tregimet e tmerrshme të tij.

Në vitin 1927 ka shkruar tashmë dy romane të shkurtër, por që nuk do të botohen deri pas vdekjes së tij: "The Dream - Quest of Unknown Kadath" dhe "The Case of Charles Dexter Ward", të cilave do t'u pasojnë në vitin 1930 "The Whisperer in Darkness" dhe në vitin 1931 "At the Mountains of Madness" (që refuzohet nga Drejtori i ri i Weird Tales, Farnsëorth Wright) dhe dora-dorës një seri tregimesh në të cilat zhvillohet i ashtuquajturi "cikël i Chtulhu", domethënë saga e zotave të përbindshëm të përzënë në hapësirë dhe që nga hapësira do të kërkojnë të kthehen në Tokë, duke vendosur midis njerëzve fenë e tyre të tmerrshme, të përbërë, e kotë ta thuash, edhe nga sakrifica njerëzore dhe magji të zezë.

Ndërkohë, jeta e tij është gjithnjë e më shumë vetmitare dhe e trishtuar. Pas vdekjes së tezes Lilian në vitin 1932, nuk i mbetet gjë tjetër, veçse tezja Annie. Në kompensim, kërkon që t'i kultivojë marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet një epistolari shumë të pasur, në të cilin shpenzon resurset e tij të dobëta ekonomike.

Bile bën edhe disa udhëtime (kurrë në Europë, por asnjëherë jashtë Amerikës Veriore), veç të tjerash në qytetin e vjetër francez Québec në Kanada, nga i cili do të kthehet me një relacion prej pothuaj 150 faqesh dhe, më vonë, në Florida, ku qëndron përreth 2 muaj i ftuar i një miku.

Në vitin 1933, së bashku me tezen Annie transferohet në një miniapartament, nga i cili nuk do të lëvizë më. Si shkrimtar ndjehet i shterruar, nuk shkruan më pothuajse asgjë, i frustruar edhe nga gjykimet negative, dhe nga moskuptimet që e theksojnë pasigurinë patologjike të tij, dhe që e bëjnë të dyshojë tek vetvetja.

Në vitin 1935, një roman i shkurtër i tij, "The Shadow Out of Time", refuzohet akoma nga Drejtori i Weird Tales. Miku dhe korrespondenti Robert Erwein Hoëard (autor, veç të tjerash, i ciklit "Conan, The Barbarian") vret veten në vitin 1936, në një moment dekurajimi të plotë: Lovecraft është gjithnjë e më i vetmuar dhe gjithnjë e më shumë i haluçinuar.

I ngjashëm me një protagonist të njërit prej tregimeve më të mira të tij "The Dream in the With House", jeton prej kohësh në një realitet tjetër, të populluar nga imazhe onirike jashtëzakonisht të gjalla, sikur të kishte rrëshqitur në një dimension tjetër të populluar nga prani të errëta, magjish të mallkuara, entitetesh të paemër, arkitekturash ciklopike me gjeometri jo euklidiane, parandjenja të këqija.

Jeton në ankthin e kthimit iminent të zotave monstruozë të ardhur nga hapësira, duke interpretuar ndoshta si tregues po aq të këqij një seri koincidencash, faktesh të rëndomta kronike, fenomenesh të pashpjegueshme fizike që pikërisht në ato vite një studiues i panjohur i jo të zakonshmes, bashkëkombës i tij, Charles Fort, i grumbullon me durim në mijëra e mijëra skeda të nxjerra nga artikuj gazetash, duke hipotezuar se ne jetojmë si troftat në një rezervuar nga e cila herë pas here qenie gjigante dhe të frikshme nxjerrin ndonjë kampion për qëllimet e tyre të pakuptueshme.

Vdekja e kap pas një sëmundje shumë të shpejtë më 15 mars të vitit 1937, ndërsa bota afrohet drejt Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit bërthamor.

Pas vdekjes së Lovecraft, ka pasur një rilindje në kuptimin e vërtetë të veprës së tij - graduale, por të sigurt - deri në arritjen në vitet e fundit në forma "kulti", në kuptimin e plotë të fjalës nga ana e një publiku gjithnjë e më shumë i tërhequr nga tematikat e shqetësimit dhe të terrorit.

Në të vërtetë, Lovecraft nuk është shkrimtar i terrorit në kuptimin tradicional të fjalës. Është një shkrimtar tejet origjinal, që praktikisht ka krijuar një gjini të re letrare, "gotiken fantastike", duke përdorur fantashkencën, fantazinë dhe gotiken e vërtetë.

Vepra e tij e gjerë, që përdor dituritë e thella të autorit jo vetëm në lëmin e astronomisë dhe të shkencave natyrore, por edhe të mitologjisë, letërsisë, historisë së qytetërimeve të lashta, formon një korpus unitar në të cilin gjenden tema dhe situata të korreluara dhe, shpesh, personazhe e deri libra të "mallkuar".

Midis këtyre të fundit, më i famshmi pa dyshim që është "Necronomicon", një libër magjie misterioz ose libër evokimesh demoniake, i shkruar në shekullin e VII-të nga një poet i çmendur arab, nga Jemeni, dhe i përkthyer më vonë në Europë, por të cilit i ekzistojnë vetëm shumë pak kopje të ruajtura me xhelozi.

Njëra nga të cilat pranë Bibliotekës së Universitetit Miskatonic Arkham, njëra dhe tjetra të krijuara nga fantazia pjellore e autorit. Bëhet fjalë për një prej pseudobiblave më të famshme të të gjitha kohërave, siç është provuar nga kërkesat e panumërta që biblioteka dhe librari kanë parë t'u vijnë në dhjetëvjeçarët e fundit nga ana e kultorëve të okultizmit dhe lexuesve të Lovecraft, të bindur për ekzistencën reale të tij.

Vetë shkrimtari nga Providence, në një letër për një mikun e tij kish pranuar se e kish shpikur krejtësisht, ashtu si të gjithë elementët e tjerë të "ciklit të Ctulhu" (që e merr emrin nga njëri prej hyjnive të llahtarshëm të Panteonit blasfem dhe gurgullues, përkrah me Yog-Sothot, Shub-Nigurrat, Nyarlathotep dhe shumë të tjera).

Në fakt, ai pohonte se besonte në një materializëm rigoroz dhe në një lloj determinizmi me bazë shkencore, dhe se i ishte kushtuar evokimit të tmerrit të mbinatyrshëm vetëm për evazion: por evazion nga çfarë, duke parë se nuk bënte gjë tjetër veçse u jepte trup dhe konsistencë fantazmave që e persekutonin në jetën e brendshme qysh kur ishte fëmijë? Ndoshta do të thuhej për t'u hedhur në ato tmerre dhe dyfishuar në mënyrë mazokiste vuajtjet dhe ankthet e tij ekzistenciale.

Por a është tamam e vërtetë se "Necronomicon" është fryt i shpikjes së Lovecraft?

Ka që dyshojnë; midis të tjerëve, dy studiues të misterit të kalibrit të Louis Sprague de Camp e Colin Wilson. I pari ka kryer kërkime që e kanë bërë të futet në posedim të një dorëshkrimi të lashtë në Irak, që mund të jetë versioni origjinal i "Necronomicon", kurse i dyti, pas studimesh të thelluara, ka arritur në hipotezën se babai i Lovecraft ka qenë një anëtar i Masonerisë egjiptiane (asaj të formuar nga Cagliostro dhe tërësisht të bazuar tek okultizmi) dhe se në bibliotekën e tij libri i mallkuar ekzistonte realisht, duke obsesionuar mendjen e të birit.

Së fundi, mund të kujtohet se, sipas studiuesit amerikan L. Bryant, "Necronomicon" nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një deformim i "Picatrix", një teksti realisht ekzistues alkimie dhe mjekësie (jo nekromancie), i cili u përkthye në latinisht nga Pico della Mirandola. Këtu duam të bëjmë një konsideratë me karakter të përgjithshëm.

Teoria e Lovecraft lidhur me zotat hapësinorë bazohet mbi fuqinë evokuese të lutjeve të caktuara dhe të riteve të caktuara nga ana e qenieve njerëzore.

Nëpërmjet tyre mund të hapet një lloj "porte" ndërdimensionale, nëpërmjet të cilës entitete të "mallkuara" janë në gjendje të penetrojnë në continnuum-in tonë hapësiro - kohor (nga ku, në kohëra që nuk mbahen mend, u përzunë nga qenie të tjera - të ashtuquajturit "Antikë të mëdhenj" - që do t'i "emigronin" intermundia sideralis.

Ideja që entitete shpirtërore mund të evokohen dhe deri të "krijohen" nga një orientim i caktuar psikologjik i qenieve njerëzore, pse jo dhe nga përmbushja skrupuloze e riteve të mirëpërcaktuara, është një ide tipikisht magjike, tipike jo vetëm e magjisë e të ashtuquajturve "primitivë", por edhe e magjistarëve të kulturuar të Rilindjes: Johann Reuchlin, Cornelio Agrippa di Nettesheim, Teofrasto Paracelso, John Dee, Gerolamo Fracastoro dhe Gerolamo Cardano.

Veç kësaj, është një ide që duket se rilidhet me Cabala-n, pasi mendimi kabalistik vendos një marrëdhënie të saktë midis pushtetit të emrave dhe aftësive për të vepruar në mënyrë magjike mbi realitetin natyror. Do të gaboheshin rëndë ata që do të mendonin se një ide e tillë themelore është braktisur tërësisht në ditën e sotme, me ardhjen e qytetërimit "modern".

Eksperimente parapsikologjike tentojnë të demonstrojnë se mendimi i përqëndruar në mënyrë intensive i një qenieje njerëzore (ose, me të drejtë më të madhe, i një grupi ndërveprues qeniesh njerëzore), është në gjendje të evokojë forca psikike, natyra e të cilave nuk është mirë e qartë, por se janë në gjendje të veprojnë edhe në planin fizik (mund të gjenden mjaft shembuj të shumtë në librin e famshëm të Leo Talamonti "Univers i ndaluar" dhe në shumë tekste të tjerë të ngjashëm).

Jo vetëm duket se edhe ambientet ushtarake dhe të shërbimeve sekrete të disa shteteve janë interesuar për një lloj të tillë eksperimentesh, duke i financuar në struktura kinse të finalizuara në përdorimin e fuqive parapsikologjike në prizmin e dominimit psikik, me qëllim ushtarak dhe policor.

Veç të tjerëve, do të merrej mjeku amerikan (me origjinë kroate) Andrija Puharich (i njohur në vitet '60 si studiues dhe mentor i sensitivit izraelian Uri Geller), në kuadër të një kërkimi shumë të gjerë parapsikologjik, në të cilin do të interesoheshin edhe ambiente financiare të padyshueshme dhe vetë establishmenti shkencor, i dedikuar ndaj përdorimit tejet vulgar të hipnozës, të seancave medianike dhe të fuqive okulte të mendjes.

Qëllimi përfundimtar i kërkimeve të tilla, sipas kërkuesve Lynn Picknett e Clive Prince (shiko librin e tyre "Komploti Stargate"), është të vendosin një "rend të ri botëror" të bazuar mbi kultin e nëntë Zotave të qytetit të lashtë egjiptian të Heliopolit: Aton, Shu, Tefnut, Geb, Nut, Osirid, Isid, Seth e Nefti: pikërisht ata që do t'u manifestoheshin disa mediave gjatë eksperimenteve të Puharich.

Sigurisht, një skenar i tillë mund të duket fantazi, për të mos thënë fantastik, megjithatë, përpara se ta skartojmë me një të rënë të lapsit, duhet reflektuar se disa ambiente tejet të fuqishme të Pentagonit dhe të CIA-s kanë shpenzuar kohë dhe para në kërkime të gjata në fushën e paranormales dhe se në to ekzistojnë lozha dhe sekte të tipit ezoterik dhe parafetar, që nuk ia përtojnë t'i drejtohen çdo mjeti ("qëllimi justifikon mjetin", thoshte Machiavelli tek "Princi" i tij), boll që të sigurojnë pushtetin më të gjerë të mundshëm, duke manipuluar opinionin publik nëpërmjet kontrollit të gjerë të shtypit, të televizionit, të botimeve, pse jo dhe mbi botën e financës dhe të politikës.

Nuk është ky vendi për të evokuar tezat e të ashtuquajturit komplotizëm, forma "ekstreme" e të cilit përfaqësohet nga librat - investigime voluminozë dhe goditës të anglezit David Icke, por do të flasim për faktin që të restaurosh një religjion shumë të lashtë, të bazuar mbi shpalljen e një kthimi iminent të jashtëtokësorëve (ose, si në rastin e Lovecraft, të zotave të jashtëtokësorëve), mund edhe të jetë një projekt i mendueshëm dhe ndoshta i krahasueshëm nga ana e mjediseve ezoterike që, sipas terminologjisë së René Guénon e të Julius Evola, mund të quhen "kundër-iniciim".

Me fjalë të thjeshta, idhtarëve të magjisë së zezë të prirur për të evokuar forca shpirtërore subnjerëzore me natyrë demoniake.

Nuk është e nevojshme të mendohen që zotë të tillë ekzistojnë realisht, është e mjaftueshme, siç po thonim më parë, që të ketë qenie njerëzore të gatshëm për t'u besuar verbërisht, për t'u dhuruar një kult në kuptimin e vërtetë të fjalës, për t'i evokuar nëpërmjet një ceremoniali kinse dhe rigoroz.

E përfundojmë këtë refleksion duke bërë një pyetje: H.P.Lovecraft nuk mund të ketë qenë pre e forcave kërcënuese dhe aliene, e entiteteve pa emër që i kish evokuar me pamaturi pikërisht me aktivitetin e tij prej shkrimtari duke pësuar një pushtim psikik në kuptimin e vërtetë të fjalës?

Sipas Luigi Pirandello (por edhe sipas Miguel de Unamuno, për të mos folur për José Luis Borgés), personazhet nuk krijohen nga shkrimtari, por nxirren në dritë, tashmë, në ndonjë dimension, ekzistonin: ndoshta kanë ekzistuar përgjithmonë.

As Servantes nuk e ka "shpikur" Don Kishotin, as Goethe nuk e ka "shpikur" Faustin, ata u kanë dhënë atyre një formë, duke i sjellë në ekzistencë (letrare: diçka si Bota e Tretë për të cilën fliste filozofi Karl Popper).

Nëse është kështu, atëherë edhe Lovecraft nuk i ka "shpikur" Yog-Sothoth e Shub-Nigrurrath: "thjesht" i ka evokuar (nëpërmjet "Necronomicon"-it) dhe ata tani tashmë janë këtu, në mesin tonë, në hapësirë - kohën tonë.

Në këtë pikë, e qartë se do të ndodhemi përpara një prej operacioneve më monstruoze të magjisë së zezë që mund të imagjinohet, pasi zotat hapësinorë të "imagjinuar" nga Lovecraft në realitet janë djaj të frikshëm dhe religjioni i përshkruar prej tij, megjithëse nën dukjen se e përbuz dhe e dënon, nuk do të ishte gjë tjetër, veçse satanizëm në formën e tij më blasfeme.

Do të mbetej për t'u parë nëse Lovecraft ka qenë një idhtar i vetëdijshëm i kundëriniciimit, një shërbëtor i qëllimshëm i forcave të së keqes apo se është gjendur i burgosur, si shumë, jashtëzakonisht shumë "heronj" të romaneve dhe tregimeve të tij, në vorbullat e një përfshirjeje të tmerrshme, por të pavullnetshme, dhe i detyruar që t'ia huajë veprën e tij entiteteve që atë e përdorin pak a shumë si "Superiorët e panjohur" përdorin stazhierët e shumtë budallenj shtriganë që, në bazën e piramidës okulistike, i huajnë zyrat e tyre të zellshme pa pasur kurrfarë ideje se kush i manovron në realitet.

Nëqoftëse një mendim do t'u rezultonte paksa shqetësues dhe plot ankth (siç ishte bërë i patolerueshëm për studentit Walter Gilman, që në një Salem plot mjegull dhe të populluar nga prani të frikshme luante një ndeshje shahu të dëshpëruar me shtrigën e tmerrshme Keziah Mason, padrone e një "porte" ndërdimensionale), mund të ngushëlloheni gjithmonë duke menduar se, në fund të fundit, bëhet fjalë vetëm për fantazi të një shkrimtari të varfër, i çmendur nga neuroza dhe nga vetmia.

Por qytetërimi "modern", për të cilin jemi aq krenarë dhe që, duke vënë një besim total tek teknoshkenca, na çon drejt fatesh të mrekullueshme dhe progresive nuk vuan as nga neuroza, as nga vetmia, apo jo?


________________________
Jeta vazhdon, e ardhmja te pret, mos e kthej koken mbrapa, se e shkuara te vret.
Kam Lindur Per Te Vdekur , Por Nuk Do Vdes Pa Lene Gjurme...
http://kuqezi.albanianforum.net/

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons