Forumi Kuq E Zi

Pershendetje vizitor i nderuar.
Me sa duket, ju nuk jeni identifikuar akoma ne faqen tone, ndaj po ju paraqitet ky mesazh per tju kujtuar se ju mund te Identifikohu qe te merrni pjese ne diskutimet dhe temat e shumta te forumit tone.

-Ne qofte se ende nuk keni nje Llogari personale ne forumin ton, mund ta hapni nje te tille duke u Regjistruar
-Regjistrimi eshte falas dhe ju merr koh maksimumi 1 min...
Duke u Regjistruar ju do te perfitoni te drejta te lexoni edhe te shprehni mendimin tuaj.

Gjithsesi ju falenderojme shume, per kohen që fute ne dispozicion për të vizituar saitin tonë.
Per cdo gje na kontaktoni ne Forumikuqezi@live.com

Ju Mirpresim te gjithve ne forumin ton, ku do te gjeni argetim, humor, filma, lajme nga me te fundit, informacione nga me te ndryshmet, libra, programe per kompjuterin dhe shum e shum gjera te tjera. Per me shum ju ftojm te gjithve te REGJISTROHENI.....


You are not connected. Please login or register

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1 Bota në vitin 2025 prej Wed 03 Aug 2011, 03:44

$EB@$TJ@N

avatar
->Fond@tor<- WebM@ster
->Fond@tor


Mapo Sistemi ndërkombëtar – siç është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore – do të jetë thuajse krejt tjetër aty nga viti 2025. Në fakt, “sistem ndërkombëtar” është një term i gabuar, duke qenë se ka më shumë të ngjarë të jetë tërësisht i çrregullt sesa i organizuar; përbërja e tij hibride dhe heterogjene, siç i shkon një tranzicioni, i cili do të jetë një proces në punë e sipër në 2025-n. Ky transformim po ushqehet nga një ekonomi globalizuese, e orientuar nga një zhvendosje historike e pasurisë relative nga Perëndimi drejt Lindjes, si dhe përmes rritjes së epërsisë së lojtarëve të rinj, veçanërisht Kinës dhe Indisë. SHBA-ja do të mbetet aktori i vetëm më i rëndësishëm, por do të jetë më pak influent. Ashtu siç ndodhte me Shtetet e Bashkuara në shekujt e 19-të dhe e 20-të, Kina dhe India do të jenë, sipas rastit, hezituese ose të paduruara për të pretenduar role më të rëndësishme në skenën botërore. Në 2025-n, që të dyja do të jenë më shumë të interesuara që të zgjidhin problemet e brendshme, sesa për ndryshimin e sistemit ndërkombëtar.

Krah për krah me zhvendosjen e pushtetit mes vendeve-kombe, pushteti relativ i aktorëve joshtetërorë – përfshi biznese, fise, organizata fetare, madje edhe kriminale – do të vazhdojë të rritet. Një sërë vendesh, ka gjasa që edhe të kapen dhe të drejtohen nga organizata kriminale. Në zonat e Afrikës ose Azisë Jugore, shtetet ashtu siç i njohim, mund të shuhen, si pasojë e paaftësisë së qeverive për të siguruar nevojat bazë, përfshi sigurinë.

Rreth këtyre viteve, komuniteti ndërkombëtar do të përbëhet nga një sërë aktorësh, përveç “joshtetërorëve” dhe do t’i mungojë një qasje përshtatëse ndaj qeverisjes botërore. “Sistemi” do të jetë multipolar me shumë parcela aktorësh shtetërorë dhe joshtetërorë. Sistemet ndërkombëtare multipolare – si Koncerti i Europës – kanë ekzistuar edhe në të shkuarën, por ai që po lind është i paprecedentë, sepse është global dhe përfshin një përzierje aktorësh shtetërorë dhe joshtetërorë, të cilët nuk grupohen në kampe rivale me epërsi pak a shumë të njëjtë.

Karakteristikat më të spikatura të “rendit të ri” do të jenë spostimet nga një botë unipolare, e mbizotëruar nga Shtetet e Bashkuara në një hierarki deri diku e pastrukturuar e fuqive të vjetra dhe kombeve në ngjitje, si dhe një shpërndarje e pushtetit nga aktorët shtetërorë te ata joshtetërorë.

“…ne nuk besojmë se po shkojmë drejt një shkatërrimi të plotë [të sistemit ndërkombëtar]… megjithatë, 20 vjetët e tranzicionit drejt një sistemi të ri ndërkombëtar janë të mbushura me rreziqe…”

Historia na tregon se ndryshimi i shpejtë sjell shumë rreziqe. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së fundit financiare, si rezultat i së cilës do të përshpejtohen shumë prirje ekzistuese, ne nuk besojmë se po shkojmë drejt një rrënimi të plotë – siç ndodhi në vitet 1914-1918, kur një fazë më e herët e globalizimit u bllokua tërësisht. Megjithatë, në 20 vjetët e tranzicionit drejt një sistemi të ri ndërkombëtar, janë të ngarkuara me rreziqe shumë më tepër nga ç’menduam kur publikuam “Mapping the Global Future”, në vitin 2004. Këto rreziqe përfshijnë përshkallëzimin e garës bërthamore në Lindjen e Mesme dhe konflikte të mundshme ndërshtetërore për burimet. Diapazoni i çështjeve “transnacionale” që kërkojnë vëmendje, vjen në rritje, duke përfshirë probleme që lidhen me kufizime të burimeve në energji, ushqim e ujë, si dhe shqetësime për ndryshimin klimatik. Institucionet botërore që mund ta ndihmonin botën në përballjen me këto probleme dhe, më përgjithësisht, të zbusnin rreziqet e ndryshimit të shpejtë, aktualisht shfaqen të pazotët për t’u ngritur në nivelin e sfidave, pa përpjekjet e përbashkëta të liderëve të tyre.

Më shumë ndryshim sesa vazhdimësi

Ndryshimi i shpejtë i rendit ndërkombëtar, në një kohë sfidash gjeopolitike të përshkallëzuara, rrit gjasat e ndalesave të menjëhershme, tronditjeve dhe të papriturave. As edhe një rezultat nuk ngjan i parapërgatitur: modeli perëndimor i liberalizmit ekonomik, demokracisë dhe sekularizmit, për shembull, të cilin shumë e supozuan të ishte i paevitueshëm, mund të humbasë shkëlqimin e tij – të paktën në periudhën afatmesme.

Në disa raste, elementi surprizë është thjesht çështje tempizmi: një tranzicion i energjisë, për shembull, është i paevitueshëm: pyetjet e vetme janë kur dhe sa vrazhdë ose butë do të ndodhë ky tranzicion. Goditjet e tjera janë më pak të parashikueshme. Duke marrë parasysh se çfarë ngjan e pagjasë sot mund të bëhet e realizueshme apo dhe të ndodhë në 2025-n, ne kemi marrë parasysh një sërë “tronditjesh” të mëvetësishme të zhvillimit. Shembujt përfshijnë impaktin botëror të shkëmbimit të armëve bërthamore, një zëvendësim të shpejtë të karburanteve fosile (d.m.th.: nafta, gazi dhe nënproduktet – shënim i përkthyesit) dhe një Kinë “demokratike”.

Teknologjitë e reja mund të prodhojnë zgjidhje, siç mund të jenë alternativat e zbatueshme përkundrejt karburanteve fosile apo mënyra për të kapërcyer kufizimet e ushqimit dhe ujit. Një pasiguri kritike është nëse teknologjitë e reja do të zhvillohen dhe komercializohen në kohë për të evituar një ngadalësim të rritjes ekonomike, që vjen si pasojë e kufizimit të burimeve. Ky ngadalësim do të sabotonte ngritjen e fuqive të reja dhe do t’u jepte një goditje serioze aspiratave të atyre vendeve që ende nuk janë tërësisht brenda lojës së globalizimit. Në një botë ku mbizotërojnë kufizimet, mund të shkrepin sjellje të ndryshme nga ato, kur mungesat tejkalohen nga teknologjia apo mjete të tjera.

Të ardhmet alternative

Ashtu si në punimet tona të mëparshme, do të shpjegojmë të ardhme alternative që ka gjasa të materializohen nga prirjet që diskutohen. Ne i shohim 15-20 vjetët që vijnë si një nga ato pika kthese të mëdha në histori ku, ku faktorë të shumëllojshëm, ka gjasa që të ndikojnë. Mënyra sesi këta faktorë ndërveprojnë mes tyre dhe roli i udhëheqjes do të jenë vendimtar mbi rezultatin.

Në ndërtimin e këtyre skenarëve, ne u fokusuam mbi pasiguri kritike, përsa i përket rëndësisë relative të kombit-shtet, krahasuar me aktorët joshtetërorë, si dhe mbi nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në disa prej këtyre skenarëve, shtetet janë mbizotëruese dhe drejtojnë dinamikat globale; në të tjera, aktorë joshtetërorë, duke përfshirë lëvizje fetare, OJF-të dhe individë jashtëzakonisht të fuqishëm, luajnë role më të rëndësishme. Në disa prej skenarëve, aktorët kryesorë bashkëveprojnë në grupe konkurruese, përmes partneritetit dhe lidhjeve ndërkufitare. Skenarë të tjerë parashikojnë edhe më shumë bashkëveprim, ndërsa aktorë autonomë operojnë të pavarur dhe në disa raste përplasen mes tyre.

Në të gjithë skenarët fiktivë, ne nënvizojmë sfidat që mund të lindin si rezultat i transformimeve aktuale globale. Skenarët paraqesin situata të reja, dilema apo parashikime që do të shkaktojnë përmbysje në skenën globale, duke krijuar botë të reja shumë të ndryshme. Asnjë prej këtyre skenarëve nuk është i pashmangshëm, apo edhe domosdoshmërisht me gjasa që të ndodhë, por ashtu si me shumë pasiguri të tjera, këta janë lojtarë të rëndësishëm.

- Një botë pa Perëndimin

Në këtë botë, të përshkruar në një letër imagjinare nga një drejtues i së ardhmes në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (OBS – “SCO”), fuqi të reja zëvendësojnë Perëndimin, si krerë të skenës botërore. SHBA-ja ndihet e mbingarkuar dhe tërhiqet nga Azia Qendrore, duke përfshirë Afganistanin, ndërsa Europa nuk hyn në lojë që të marrë stafetën e udhëheqjes. Rusia, Kina dhe të tjerë detyrohen të përballen me rrezikun e rrëmujës dhe paqëndrueshmërisë në Azinë Qendrore. OBS-ja fiton epërsi, ndërsa statusi i NATO-s dobësohet. Antagonizmi ndaj Kinës në SHBA dhe Europë arrin një kreshendo dhe barriera kundër tregtisë vihen në fuqi. Rusia dhe Kina bashkohen në një martesë interesi; vende të tjera – India dhe Irani – tubohen rreth tyre. Mungesa e një blloku të qëndrueshëm – qoftë ky në Perëndim apo në botën joperëndimore – i shtohet paqëndrueshmërisë dhe trazirave në rritje, duke rrezikuar globalizimin.

Surpriza e tetorit

Në këtë botë, të përshkruar në ditarin e një presidenti të ardhshëm të SHBA, shumë vende janë angazhuar në nxitjen e rritjes ekonomike në kurriz të ruajtjes së mjedisit. Komuniteti shkencor nuk ka qenë në gjendje të lëshojë paralajmërime të posaçme, por shqetësimet rriten se një pikë kulmore është arritur dhe se pasojat e mundshme do të jenë shumë shkatërrimtare. Qyteti i Nju Jorkut goditet nga një uragan vigan që vjen si pasojë e ndryshimit klimatik, NY Stock Exchange (Bursa e Nju Jorkut) dëmtohet rëndë dhe, përballë këtij shkatërrimi, udhëheqësve botërorë u duhet të fillojnë të mendojnë për të marrë masa drastike, si zhvendosja e pjesëve të qyteteve bregdetare.

- Shkatërrimi i BRIC-it

Në këtë botë, shpërthen një konflikt mes Kinës dhe Indisë mbi aksesin në burime jetike. Fuqitë e jashtme ndërhyjnë para se konflikti të përshkallëzohet dhe t’i vërë zjarrin botës. Përplasja vjen si pasojë e dyshimit të kinezëve se të tjerët po përpiqen të rrezikojnë furnizimin me energji të Pekinit zyrtar. Keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara sjellin konfliktin. Ky skenar nënvizon rëndësinë e energjisë dhe të burimeve të tjera, si një pushtet i madh përballë rritjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Gjithashtu, tregon hapësirat për konfliktin në një botë multipolare, që ka po aq gjasa të ndodhë përmes shteteve në ngjitje sa çka edhe ndërmjet fuqive të vjetra e të reja.

- Politika nuk është gjithnjë lokale

Në këtë botë, të konturuar në një artikull nga një reporter fiktiv i Financial Times, rrjete të ndryshme joshtetërore – OJF, grupime fetare, udhëheqës biznesi dhe aktivistë lokalë – bashkojnë forcat për të vendosur axhendën ndërkombëtare mbi mjedisin dhe përdorin pushtetin e tyre për të zgjedhur Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OKB-së. Koalicioni politik i aktorëve joshtetërorë luan një rol vendimtar në vendosjen e një marrëveshje të re botërore mbi ndryshimin klimatik. Në këtë botë të re të lidhur përmes komunikimeve dixhitale, një klase të mesme në rritje dhe grupe interesi tranzitore, politika nuk është më lokale dhe e brendshme, ndërsa axhendat ndërkombëtare bëhen gjithnjë e më të këmbyeshme.

Projektimet afatgjata: Një rrëfenjë paralajmëruese

Në shekullin XX, ekspertët që bënë parashikime për 20 vjetët që vijnë – pak a shumë periudha që mbulon ky studim – shpesh nuk i parashikuan ndodhitë madhore gjeopolitike, duke i bazuar parashikimet e tyre në projeksione lineare, pa eksploruar mundësitë që mund të shkaktonin përmbysje. Para Luftës së Parë Botërore, ndërsa tensionet ndërmjet “fuqive të mëdha” europiane ishin në rritje, pak kishin qoftë dhe një ide të vagullt mbi trazimet e mëdha që po vinin, që nga niveli i masakrës së përbashkët e deri te gremisja e perandorive shekullore. Në fillim të viteve 1920, pak e imagjinuan situatën vdekjeprurëse që po gatuhej, të ndjekur nga Depresioni i Madh, gulagët e Stalinit dhe një luftë botërore edhe më të përgjakshme, që numëroi gjenocide të shumta. Periudha e pasluftës pa themelimin e një sistemi të ri ndërkombëtar – shumë institucione të të cilit, si Kombet e Bashkuara apo Breton Ëoods – janë ende mes nesh. Edhe pse epokës bipolare dhe bërthamore nuk i munguan lufta dhe konfliktet, ajo siguroi një kornizë të qëndrueshme deri në rënien e bashkimit Sovjetik. Zhvillimi i një ekonomie të globalizuar, në të cilën Kina dhe India luajnë role madhore, ka hapur një epokë të re pa rezultate të qarta.
Leksionet nga shekulli i shkuar, megjithatë, duket se sugjerojnë:

Udhëheqësit dhe idetë e tyre kanë peshë

Asnjë histori e njëqind vjetëve fundit nuk mund të rrëfehet pa rrëmuar në rolet dhe mendimin e udhëheqësve të tillë si Vladimir Lenin, Josif Stalin, Adolf Hitler dhe Mao Ce Dun. Veprimet e udhëheqësve dominues janë elementi më i vështirë për t’u paraprirë. Në disa rrethana të shekullit të XX, ekspertët perëndimorë menduan se idetë liberale dhe ato të tregut kishin triumfuar. Siç rezultoi nga impaktet e Çërçillit, Ruzveltit dhe Trumanit, udhëheqësia është faktor kyç edhe në ato shoqëri ku institucionet janë të forta dhe hapësira e manovrimit për të përdorur pushtetin personal është më e ndrydhur.

Paqëndrueshmëria ekonomike përfaqëson një faktor rreziku madhor
Historianët dhe shkencëtarët socialë kanë zbuluar një marrëdhënie të fortë ndërmjet ndryshimeve të shpejta ekonomike – pozitive dhe negative – dhe paqëndrueshmërisë politike. Përmbysja masive dhe paqëndrueshmëria ekonomike që u shfaqën nga fundi i globalizimit “të parë” në 1914-1918 dhe ngritja e barrierave proteksioniste në vitet 1920 dhe 1930, kombinuar me inatet këmbëngulëse mbi traktatin e paqes së Versajës, krijuan themelet për Luftën e Dytë Botërore. Rënia e perandorive multietnike dhe kombëtare – që kish nisur pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke vazhduar me fundin e perandorive koloniale në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore – gjithashtu, ndërseu një radhë të gjatë konfliktesh kombëtare dhe etnike, që i përngjason të tashmes. Globalizimi i sotëm, gjithashtu, ka shpërhapur lëvizjen e njerëzve, duke përçarë kufijtë tradicionalë, socialë dhe gjeografikë.

Rivalitetet gjeopolitike provokojnë përmbysje më shumë nga ç’bën ndryshimi teknologjik
Shumë theksojnë rolin e teknologjisë në sjelljen e ndryshimeve radikale dhe nuk ka dyshim se ka qenë një vozitës kryesor. Ne, si të tjerët, kemi nënvlerësuar shpesh impaktin e saj. Megjithatë, gjatë shekullit të fundit, rivalitetet gjeopolitike dhe pasojat e tyre kanë qenë shkaqe shumë më thelbësore të luftërave të shumta, gremisjes së perandorive dhe lindjes së fuqive të reja, sesa vetë teknologjia.

SHBA dhe rënia e mitit të superfuqisë së vetme

Që nga viti 2025, Shtetet e Bashkuara do ta gjejnë veten e tyre jo më si fuqia e vetme e padiskutueshme, por me një numër të tjerë aktorësh në skenën botërore.
Nga viti 2025 e mbrapa, do jetë çështje vitesh kalimi nga një botë njëpolare në një botë multipolare, të cilat, siç e ka dëshmuar historia, janë më të paqëndrueshme; të pakontrollueshme; jo kohezive dhe të paparashikueshme. Kjo është e pritshme, pasi fuqitë e mëdhaja tradicionale në politikbërjen botërore si Europa dhe Japonia, do jenë në rënie ekonomike dhe demografike, krahasuar me fuqitë në rritje si Kina dhe India, çka do të sjellë që, rolin rregullator të sistemit ndërkombëtar, nuk do ta bëjnë fuqi me eksperienca qindravjeçare në rendin global, por fuqi pa traditë në këtë fushë.
Megjithatë, edhe pas vitit 2025, Shtetet e Bashkuara do të mbeten fuqia më e madhe ekonomike e planetit, të paktën deri në vitin 2035, nëse kushtet janë këto të ditëve të sorme.
Sa më poshtë janë skenarët për trendin e disa prej fuqive të së ardhmes dhe perspektivës së tyre.


K I N A

Shfaqja e konkurrentit potencial në rrugën e së ardhmes.
Pak vende do kenë mundësinë të bëjnë bujë në botë, sa çdo bëjë Kina në 15-20 vjetët e ardhshëm.

Nëse rrjedha e ngjarjeve do të ketë drejtimin që ka pasur deri tani, Kina do jetë në vitin 2025 ekonomia e dytë më e madhe në botë, por edhe një fuqi ushtarake. Do jetë importuesi më i madh i lëndëve të para, siç do vazhdojë të jetë edhe ndotësi më i madh i ambjentit në rang botëror.

Rritmi i rritjes ekonomike të Kinës në të ardhmen, me një siguri gati absolute, do jetë më i ngadaltë se çka qenë deri më tani dhe ndoshta mund të shfaqen edhe fenomene recensioni, të shkaktuara nga rritja e presionit shoqëror dhe trazirave sociale, me shkak rritjen e pabarazisë shoqërore në të ardhurat nga pasuria kombëtare; nga dobësia e rrjetit të sigurimit shëndetësor dhe social; ligjet e pakta që vendosin rregulla në biznes; uria për energji; rendimi i fenomenit të korrupsionit dhe shkatërrimi i ambjentit. Secili nga këto probleme, është i zgjidhshëm në kushtet e izolimit politik të vendit, por vendi mund të bjerë në një vorbull shkatërruese nëse disa nga këto probleme kërkojnë zgjdhje në të njëjtën kohë. Dhe, edhe në rastin që qeveria kineze mund ta zgjidhë buqetën e problemeve të njëkohëshme, kjo do bëhet me koston e ngadalësimit të rritmit të rritjes ekonomike.

Pjesa më e madhe në rritjen ekonomike të Kinës, do të vazhdojë të jetë e diktuar dhe e drejtuar nga tregu dhe për tregun e brendshëm, por sektorët kyç të saj, do jenë të lidur ngushtësisht me tregjet e huaja, rezervat dhe teknologjitë e një rrjeti tregtar tashmë të globalizuar. Rrjedhimisht, shëndeti ekonomik i Kinës do jetë i varur nga shëndeti i ekonomive të tjera të planetit, veçanërisht ato të SHBA-së dhe të BE-së.
Për të drejtuar këto ndryshime, udhëheqja kineze duhet të balancojë hapjen e nevojshme për të mbështetut rritjen ekonomike dhe shtrëngimeve të nevojshme, esenciale këto që të sigurojë durimin e publikut për monopolin e pushtetit politik të Partisë Komuniste.

Përballë këtyre sfidave sociale dhe ndryshimeve ekonomike, Partia Komuniste ka mundësi të pranojë transformime të tjera politike. Vetë udhëheqësit e Partisë Komuniste, flasin haptas për nevojën e gjetjes së rrugëve të reja, për të siguruar pëlqimin e publikut për rolin dominues të partisë. Por sado të hapura dhe largpamëse të jenë këto ide të udhëheqjes kineze, ato nuk përfshijnë hapjen e sistemit për zgjedhje pluraliste dhe shtyp të lirë.

Edhe në kushtet e daljes së shumë problemeve në të njëjtën kohë, siç supozuam më lart, në Kinë nuk ka për të pasur presion social të mjaftueshëm që të sjellë nevojën e demokracisë deri në vitin 2025. Thënë kjo, megjithatë vendi do lëvizë drejt një pluralizmi në të ardhmen dhe një qeverie të përgjegjshme përpara zgjedhësve.
Liderët kinezë, megjithatë, do të munden që t’i menaxhojnë tensionet sociale, me arritjen e një rritje të konsiderueshme ekonomike, sikurse kanë bërë në tre dekadat e kaluara, pa rrezikuar monopolin e partisë. Megjithatë, një krizë e zgjatur, mund të paraqesë një kërcënim serioz për udhëheqjen aktuale politike, e cila do përpiqet ta drejtojë zemërimin dhe kritikën e publikut drejt faktorit të huaj, duke forcuar dhe gjallëruar më tepër format e ksenofobisë dhe të nacionalizmit kinez.
Po ashtu, ka edhe shkaqe psikologjike që mund të shkaktojnë një reagim negativ të kinezëve në të ardhmen.

Kështu, historikisht, popujt që janë mësuar të rrisin vazhdimisht nivelin e tyre të jetesës, reagojnë me nervozizëm, kur pikësynimet e tyre nuk i arrijnë. Dhe pak popuj kanë pasur objektiva kaq të paarritshme sa i kanë vënë vetes kinezët.
Po ashtu, pozicioni ndërkombëtar i Kinës, është i bazuar në kalkulimet e të huajve që e paraqesin si “vendi i së ardhmes”. Por nëse të huajt e trajtojnë Kinën ndryshe nga çfarë e kanë përshkruar, nacionalizmi kinez do reagojë me nervozizëm.
Në këtë perspektivë, interesat ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara duhet të ridimensionohen me shfaqjen e Kinës si një garues i ri, ushtarakisht i fortë dhe ekonomikisht dinamik, për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara.


I N D I A

Një rritje e vështirë.
Vetëm përtej 15-20 vjetëve të ardhshëm, udhëheqësit indianë do të luftojnë për një sistem ndërkombëtar multipolar, me Nju Dehlin si një nga polet, i cili do shërbejë edhe si urë politike dhe kulturore midis një Kine në rritje dhe Shteteve të Bashkuara.
Besimi i Indisë në rritjen e rolit të saj politik në skenën ndërkombëtare, buron, së pari; nga rritja e saj ekonomike dhe nga arritjet e suksesshme në fushën e demokracisë, çka e bën Nju Dehlin partner të besueshëm me shumë vende.

Megjithatë, ky partnership ka për qëllim të maksimizojë autonominë dhe ta bëjë të dallueshëm zërin indian në korin botëror dhe jo ta rreshtojë pjesëtar me të drejta të barabarta në koalicionet e së ardhmes.

Ka shumë mundësi që, edhe në të ardhmen, India të provojë rritje ekonomike të shpejtë. Megjithëse, ky vend shfaq mangësi të vazhdueshme në infrastrukturën rrugore, mungesë në krahun e punës së kualifikuar dhe prodhimin e energjisë, ne mendojmë se zgjerimi i shpejtë i klasës së mesme, mosha e re e popullsisë, zvogëlimi i peshës së agrikulturës, niveli i lartë i kursimeve që drejtohen në investime, janë shtytje e vazhdueshme për rritjen ekonomike.

Rritja impresionuese ekonomike e Indisë, në këto 15 vjetët e fundit, ka reduktuar numrin e popullsisë që jeton në nivelin absolut të varfërisë, por zgjerimi i hendekut midis të pasurve dhe të varfërve do të bëhet gjithmonë e më tepër një problem politik që do të kërkojë zgjidhje në të ardhmen.

Ne besojmë se indianët do vazhdojnë të qëndrojnë të lidhur fortësisht me demokracinë, por shteti dhe politika mund të bëhen më të fragmentuara dhe grindavece dhe pushteti politik do të ndahet midis koalicioneve politike.
Zgjedhjet në të ardhmen, është e pritshme të prodhojnë koalicione të brishta me mandat të paqartë politik. Ndërsa drejtimi i përgjithshëm i politikbërjes ekonomike të Indisë është e pamundur të ndryshojë, ritmi dhe shkalla e reformave do jetë e ndryshueshme.

Kryengritjet rajonale dhe etnike që kanë torturuar Indinë që nga pavarësia e saj, premtojnë të vazhdojnë, por nuk do mund të kërcënojnë unitetin e vendit.
Ne vlerësojmë se tek Nju Dehli mund të kihet besim se do jetë në gjendje të përmbajë tentativën për shkëputje të lëvizjes për separatizëm të Kashmirit. Megjithatë, në Indi pritet shtimi i dhunës në pjesë të ndryshme të vendit, për shkak të rritjes së ndikimit të lëvizjes maoiste të Naxalitëve.

Udhëheqësit indianë nuk e shohin Uashingtonin si një padron ushtarak dhe ekonomik dhe besojnë se tashmë është një faktor ndërkombëtar i panevojshëm të ekzistojë. Por Nju Dehli dëshiron, megjithatë, të vazhdojë të përfitojë të mirat dhe favoret e lidhjes me Shtetet e Bashkuara, si dhe, gjithashtu, kjo lidhje të jetë një mbrojtje kundër çdo zhvillimi armiqësor të Kinës kundër tij.
Politikbërësit indianë janë të bindur që kapitalet, teknologjia dhe dashamirësia e Shteteve të Bashkuara, janë thelbësore për një vazhdim të rritjes së Indisë si fuqi globale.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një nga tregjet më të mëdhaja të eksporteve indiane; çelës i institucioneve financiare si bankat botërore që japin hua për kreditë tregëtare, si dhe një burim i gjerë nga vinë remitancat. Diaspora indiane, e përbërë gjerësisht nga profesionistë shumë të kualifikuar, do të vazhdojë të jetë elementi kyç i lidhjes SHBA – Indi.

Po ashtu, tregu indian për produktet amerikane do të rritet në mënyrë substanciale me reduktimin e shtrëngesave ndaj tregtisë dhe investimeve të huaja.
Ushtarakët indianë, gjithashtu, do të jenë më të etshëm të përfitojnë nga zgjerimi i aleancës me Uashingtonin. Por, udhëheqësit politikë indianë do të përpiqen që kjo marrëdhënie, mos të jetë një lidhje, por një aleancë partneriteti.

R U S I A

Rruga ruse: Sukses ose dështim.
Rusia, ka potencialin të bëhet më e pasur, më e fuqishme dhe më e vetësiguruar ekonomikisht në 2025-ën, nëse ajo investon në burimet njerëzore, zgjeron dhe diversifikon ekonominë e saj dhe integrohet me tregjet globale. Por, nga ana tjetër, faktorë të shumtë mund të kufizojnë aftësinë ruse që të arrijë fuqinë e saj të plotë ekonomike.

Kryesoret ndërmjet shumë të tjerash janë mungesa e investimeve në energji, amortizimi i infrastrukturave, degradimi i arsimit publik dhe I sektorit shtetëror të shëndetit, si dhe sistemi i pazhvilluar bankar, sikurse krimi dhe korrupsioni.

Një konvertim, sikurse pritet së shpejti, drejt energjive alternative ose një rënie e gjatë në rang global e çmimeve të energjisë, përpara se Rusia të ketë shansin të zhvillojë ose diversifikojë ekonominë, ka shumë mundësi të pengojë rritjen ekonomike.
Rënia e numrit të popullsisë ruse, nga 2025-a, do t’i ngushtojë dukshëm mundësitë e politikës për të zgjedhur mjetet dhe rrugët e zhvillimit.

Për shembull, që nga viti 2017, Rusia do ketë vetëm 650.000 meshkuj të moshës 18-vjeçare, ndërkohë që për të mbajtur nivelin e sotëm të mobilizimit në forcat e armatosura, i duhen 750.000 meshkuj.

Rënia e numrit ë popullsisë, do jetë edhe një faturë e rëndë ekonomike, veçanërisht nëse Rusia nuk investon më shumë në kapitalin ekzistues intelektual, rindërtimin e qendrave kërkimore dhe punësimin e emigrantëve të huaj. Nëse Rusia e diversifikon ekonominë e saj, ajo mund të zhvillojë një system, ndonëse jo demokratik, por më pluralist, si dhe të konsolidojë institucionet dhe të rrisë klasën e mesme.

Një politikë e jashtme më aktive dhe influente, duket se reflekton ridaljen rishtas të Moskës si lojtar i madh në skenën botërore; një partner i rëndësishëm për kapitalet perëndimore, aziatike dhe ato të Lindjes së Mesme; si dhe një forcë udhëheqëse opozitare ndaj dominimit botëror të SHBA-së.

Duke kontrolluar nyjet dhe linjat më të rëndësishme energjitike të Kaukazit dhe Azisë Qendrore, jetike për ambicjet e saj si superfuqi ekonomike, do të insistojë fort të rivendosë sferën e saj të influencës në zonën rreth kufijve.
Duke pasur të njëjtin koncept dhe perceptim përkundrejt kërcënimit të terrorizmit dhe islamit radikal, mund të bashkëpunojë më ngushtë me politikat perëndimore të sigurisë, por pa ndarë pëlqimin e saj për çështje të tjera dhe duke vënë në dukje “hendekun e vlerave” ndërmjet saj dhe perëndimit.

Skenarët e mundshëm për të ardhmen e Rusisë janë të shumtë, për shkak të dy forcave me drejtime krejtësisht të kundërta: rrjedha liberale ekonomike dhe drejtimi joliberal politik.

Tensioni midis dy rrjedhave, së bashku me brishtësinë ruse ndaj instabilitetit politik, ose krizave me prejardhje nga jashtë, ose karta të tjera të këqija në tavolinën e kumarit botëror, e bëjnë të pamundur të përjashtojmë të ardhmen alternative si, për shembull, ajo nacionaliste; një petro-shtet autoritar ose një diktaturë të plotë, e cila është e padëshiruar, por megjithatë, një e ardhshme e mundshme..
Por duke përjashtuar më të keqen, Rusia mund të jetë një vend ndjeshëm më i hapur dhe progresiv në vitin 2025.


E U R O P A

Shansi i humbur në 2025-n.
Ne besojmë se Europa në 2025-n do të ketë bërë progres të pakët drejt arritjes së pikësynimit të udhëheqësve dhe elitave aktuale të saj, për të qenë një aktor bashkëkohor, i aftë dhe me influencë globale, i aftë të zërë një vend të rëndësishëm dhe të pavarur dhe të përdorë mjetet në dispozicion të mbështetjeve të ideaeve dhe interesave politike, ushtarake dhe ekonomike të Perëndimit dhe të Europës.

Bashkimi Europian duhet të sqarojë perceptimin e mosfunksionimit të demokracisë që kanë votuesit europianë midis votës së tyre dhe përfaqësimit të tyre në Bruksel. Dhe pastaj të shkurtojë debatet e përzgjatura rreth strukturës së tij institucionale.
BE-ja do të jetë në gjendje të përkrahë stabilitetin politik dhe demokratizimin e periferisë së Europës, duke futur në gjirin e saj anëtarë nga Ballkani dhe, ndoshta, edhe Ukrainën dhe Turqinë.

Megjithatë, vazhdon të jetë përpjekje e falimentuar për të bindur publikun, i cili është skeptik për përfitimet ekonomike, politike dhe sociale, si dhe t’i shpjegojë një popullsie të plakur dhe të nervozuar vënien në jetë të reformave të dhimbshme, pa të cilat BE-ja do jetë një gjigand i çalë, i çorientuar nga grindjet e brendshme dhe agjendat kombëtare, si dhe i paaftë të përkthejë fuqinë e tij ekonomike në influencë globale.
Zvogëlimi i popullsisë së aftë për punë, do të jetë preludi i një testi të ashpër të sistemit europian të përkujdesjes sociale, një nga gurët themeltar të kohezionit politik e social të Europës Perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Progresi në liberalizimin e ekonomisë është i mundshëm të vazhdojë vetëm me hapa gradualë, derisa plakja e popullsisë ose stanjacioni i tejzgjatur ekonomik ta detyrojë për ndryshime të tjera më dramatike.

Të gjitha këto, nuk janë të lehta për t’u zgjidhur, sidomos me deficitin demografik që ka Europa, vetëm nëse nuk bën shkurtime në shëndetësi ose pensione, të cilat shumë shtete nuk janë të gatshme, jo t’i implementojnë, por as t’i mendojnë.
Shpenzimet për mbrojtjen, ka mundësi të shkurtohen akoma, për të plotësuar kërkesat e ristrukturimit të programeve të ndihmës sociale.

Sfida e integrimit të emigrantëve, veçanërisht atyre myslimanë, do të bëhet më e vështirë nëse komunitetet do të përballen me rënien e shpresës për prosperitet dhe si rrjedhojë forcimin e nacionalizmit dhe interesave të ngushta, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Perspektiva e Europës, ka gjasa të jetë më e zbehtë sesa ajo e Uashingtonit, vetëm nëse BE-ja ka sukses në bërjen e reformave si ajo e krijimit të një “Presidenti Europian” dhe “Ministri të Jashtëm Europian”, si dhe të zhvillojë më shumë aftësitë insitucionale në menaxhimin e krizave.

Divergjencat kërcënojnë nga brenda Europën dhe mosmarëveshjet për shpenzimet për mbrojtjen, nuk do ta lejojnë që të jetë një fuqi e madhe ushtarake deri në 2025-n. Po ashtu, interesat kombëtare të fuqive më të mëdha ushtarake të kontinentit do të vazhdojnë ta komplikojnë vendimmarrjen në politikën e jashtme dhe politikën e mbrojtjes, çka mund të sjellë rënien e mbështetjes për NATO-n.
Çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE është një provë për Europën në periudhën prej tani deri në 2025-ën.

Dyshimet në rritje për shanset e anëtarësimit të Turqisë, ka gjasa të ngadalësojnë implementimin në këtë vënd të politikave dhe reformave që kanë lidhje me të drejtat e njeriut.

Çdo mospranim i hapur i saj, rrezikon pasoja të forta, duke riforcuar argumentet në botën myslimane, përfshirë edhe minoritete myslimane në Europë, rreth papërshtatshmërisë të perëndimit me islamin.

Krimi mund të jetë një kërcënim i madh brenda Europës, si dhe organizatave transnacionale euroaziatike. I fuqizuar nga pjesëmarrja e tij në bizneset e energjisë dhe mineraleve, do të bëhet më i fuqishëm dhe do të zgjerojë synimet e tij.
Një ose më shumë qeveri të Europës Lindore ose Qendrore mund të bien viktimë e dominimit nga krimi i organizuar.

Europa do mbesë rëndshëm e varur për energji nga Rusia në vitin 2025, pavarësisht përpjekjeve që të promovojë energji të rinovueshme dhe që nuk ndotin ambjentin. Shkalla e varësisë do jetë e lidhur me perspektivën e pjekurisë demokratike të Rusisë dhe synimet ekonomike të saj. Edhe dështimi për të arritur konsensusin midis anëtarëve për rolin e Brukselit do frenojnë përpjekjet në lindje për të zhvilluar një politikë të përbashkët në diversitetin e burimeve të energjisë dhe të sigurisë energjitike.
Në mungesë të një përafërie kolektive, me qëllim që të ulet mundësia e Rusisë për të futur shkopinj në rrota, kjo varësi do të rrisë një kujdes konstant të disa vendeve kyçe të BE-së, si Italia dhe Gjermania, ndaj kërkesave të Moskës, të cilën do ta shohin si furnizuesin e besueshëm.

Europa do të paguajë me një çmim të lartë këtë varësi të sajën, veçanërisht nëse firmat ruse janë të pazonjat të plotësojnë kontratat për shkak të investimeve të pakta në fushat e gazit natyror; për shkak të korrupsionit në rritje ose për shkak të përzierjes së krimit të organizuar në sektorin euroaziatik të energjisë që mund të përhapet deri sa të infektojë edhe interesat financiare të Perëndimit.

J A P O N I A

Në çark midis SHBA-së dhe Kinës.
Japonia do të prezantojë një riorientim më të madh të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme deri në vitin 2025, duke u përpjekur të mbrojë pozicionin e saj si një fuqi e nivelit mbi mesatar.

Politikat e brendshme, ajo sociale dhe ekonomike, do të ristrukturohen për t’iu përgjigjur rënies së numrit të popullsisë, plakjes së klasës puntore dhe situatave politike të paqëndrueshme. Kjo ulje e numrit të popullsisë japoneze do të detyrojë autoritetet të shqyrtojnë një politikë të re mbi emigracionin, sikurse dhënia e vizave afatgjata për punëtorët e huaj.

Megjithatë, Japonia do ketë vështirësi të kapërcejë mosdashjen e saj për natyralizimin e të huajve.
Plakja e popullsisë, gjithashtu, do ta detyrojë sistemin shëndetsor dhe social japonez, ta shtyjë për një moshë më të vjetër daljen në pension të punonjësve.
Tkurja e forcës punëtore dhe refraktarizmi tradicional japonez për të pranuar punën e emigrantëve do të evidentojë rënie më të madhe të shërbimeve sociale dhe të ardhurave nga taksat, duke shkaktuar rrjedhimisht rritjen e taksave dhe kërkesën më të madhe për një industri më kompetitive dhe me çmime të ulëta për mallrat e konsumit.

Ne paralajmërojmë se do të vazhdojë ristrukturimi i industrive japoneze të destinuara për eksportin, me rritjen e peshës së teknologjive të larta, mallrave me çmim të lartë dhe teknologjive të informacionit, në totalin e volumit të eksportit.
Edhe sektori i agrokulturës do vazhdojë të tkurret, ndoshta poshtë 2 % të forcës punëtore që punëson, duke sjellë rritjen e pagesave për importin e produkteve ushqimore.

Numri i popullsisë së aftë për punë do të vazhdojë të bjerë në numër absolut, përfshirë edhe një numër të madh të të papunëve dhe qytetarëve të pakualifikuar për punë të moshës 18 deri 20 vjeç, çka do sjellë një rënie të numrit të punonjësve të kualifikuar.
Me rritjen e garës elektorale, sistemi elektoral japonez do të pjellë një numër të madh partish dhe në një shpërndarje të votës, e cila do të çojë në ndarje dhe bashkime partish, të cilat si rezultat mund të prodhojnë një paralizim të sistemit politik.
Në frontin e jashtëm, politika japoneze do të influencohet më shumë nga politikat e Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara, ku katër skenarë janë të mundshëm:
1-Japonia forcon bashkëpunimin ekonomik me Kinën, por mban bashkëpunim të ngushtë ushtarak me SHBA-në dhe mbrojtjen e tyre nën ombrellën amerikane të raketave.
2-Bashkëpunimi ekonomik i Kinës është armiqësor dhe në këtë rast Japonia forcon ushtrinë dhe aleancat e saj në Juglindjen aziatike, dhe bashkëpunon me SHBA-në të limitojë influencën kineze.

3-Siguria që i ofron SHBA-ja, Japonisë i duket e pamjaftueshme dhe, në këtë rast, afrohet me Pekinin, duke i dhënë de facto një rol sundues Kinës në oqeanet përreth Japonisë.
4-Shtetet e Bashkuara dhe Kina afrohen dukshëm me njëra-tjetrën, duke e detyruar Japoninë dhe si rrjedhojë edhe shtetet e tjera në rajon vihen në një linjë me dy aktorët kryesorë.


B R A Z I L I

Themele të forta për një
rritje të rolit udhëheqës
Deri në vitin 2025, Brazili do të ushtrojë një rol të rëndësishëm në rajonin e Amerikës Latine, por me përjashtim të rritjes si fuqi energjitike dhe tregtare do jetë i limituar që ta projektojë fuqinë e tij përtej kontinentit, si një lojtar i madh. Vetë konsolidimi i tij si demokraci funksionale dhe diversifikimi i ekonomisë është një shembull për rajonin. Pjekuria e vendit dhe angazhimi ndaj demokracisë është një ecje e sigurtë drejt rotacionit të butë të pushtetit.

Presidenti Lula da Silva, me tendenca të forta socialiste, ka ndjekur një politikë të moderuar brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë shëmbullin e një precedenti pozitiv për pasardhësin e tij.

Ekonomikisht, Brazili ka hedhur bazat për një ekonomi të diversifikuar dhe rritje ritmike të shoqëruar me stabilitet politik.
Gjithashtu, zbulimi i platformës naftëmbajtëse në Santos, e cila potencialisht mban 10 miliard barila rezervë, do sjellë ardhjen e investimeve të huaja në fushën e naftënxjerrjes, duke sjellë që ky zë të kapë 15% të GDP-së së vendit në vitin 2025, por edhe duke i dhënë shtysë zhvillimit të ekonomisë.

Por, duhet bërë progres në fushat sociale; me reduktimin e varfërisë dhe përfshirjen e popullsisë në ekonominë formale, arritja e të cilave do ta vendosë Brazilin në rolin e një pozicioni lidership në botë.


I N D O N E Z I A, T U R Q I A dhe I R A N I

Fuqitë rajonale
Këto janë vende kryesisht myslimane, por që ndodhen jashtë lëvozhgës arabe dhe janë të pozicionuara mirë për të pasur një rol ndërkombëtar në rritje. Një politikë miqësore për rritjen ekonomike, do t’i lejojë rezervat e tyre të lulëzojnë.

Në rastin e Iranit, që të realizohet kjo, është e domosdoshme edhe një reformë politike radikale. I pasur me naftë e gaz, me resurse njerëzore të nivelit të lartë, krijimi i një klime miqësore investimesh do sillte lulëzimin e një klase të mesme të mirëedukuar dhe kozmopolite, e cila do ta çonte vendin në zhvillim ekonomik dhe larg konfliktit arab, ku është përzierë prej dekadash.

Indonezia është vendi më i madh mysliman, i katërti për nga numri i popullsisë në botë, dhe me rezerva të konsiderueshme lëndësh të para. Ndërsa lëvizjet separatiste po shuhen dhe terrorizmi nuk ka gjetur mbështetjen e publikut. Por vendi do ketë zhvillim, nëse përmirëson klimën e biznesit; rregullon legjislacionin; reformon sektorin financiar; redukton subvencionet për lëndët djegëse dhe ushqimet, dhe në përgjithësi ul kostot e të bërit biznes.

Turqia, me arritjet e saj të fundit ekonomike; vitalitetin e klasës së mesme në lindje e sipër, dhe pozicionin e saj gjeostrategjik, ka perspektivën e një fuqie në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme. Mungesa e burimeve energjitike mund ta shtyjë në kooperim me Iranin dhe Rusinë, si dhe të bëhet nyjë kalimi e linjave të energjisë. Ka shumë mundësi që, zhvillimi ekonomik dhe mishela e islamizmit dhe nacionalizmit që karakterizon Turqinë, ta bëjnë një shembull për modernizimin e vendeve të Lindjes së Mesme.


________________________
Jeta vazhdon, e ardhmja te pret, mos e kthej koken mbrapa, se e shkuara te vret.
Kam Lindur Per Te Vdekur , Por Nuk Do Vdes Pa Lene Gjurme...
http://kuqezi.albanianforum.net/

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi

Social Media Buttons